Flash News

KRYESORE

“Chez Notre Dame": Ish-studenti, sot politikan, tregon për vitet e Parisit

“Chez Notre Dame": Ish-studenti, sot politikan, tregon për vitet

Zyrtari i PD-së Roland Bejko, ish-student në Paris, e përshkruan si një trishtim të madh djegien e Katedrales së Noter Dame, njërës prej simboleve më të rëndësishme të Francës, Parisit dhe të gjithë kultures botërore.

Bejko ka treguar për Politiko.al “takimin” e tij të parë me Katedralen dhe atmosferën që i jepte ky objekt i shenjtë zonës përreth, në kohën kur ai kryente studimet në Francë.

“Po ndjej një trishtim të madh dhe jam i shokuar nga djegia e njërës prej simboleve më të rëndësishme të Francës, Parisit dhe të gjithë kultures botërore. Si çdo shqiptar, takimin tim të parë me “Notre-Dame de Paris” e kam pasur nëpërmjet letërsisë franceze, veçanërisht me Victor Hugo dhe personazhet e tij emblematikë si Kuazimodo & Esmeralda.

Për ata që nuk kanë qenë ndonjëherë aty, zona përreth Katedrales është më e frekuentuara nga vizitorët e shumtë. Ata që punojnë, studiojnë e jetojnë aty, e shikojnë Notre Dame si një hapësirë sociale, kulturore, historike, e cila është ndërtuar mbi ishullin " Ile de la Cité" që francezët me të drejtë e quajnë "Gurin e çmuar të Parisit”. “Chez Notre Dame" – Takohemi te Notre Dame, ishte propozimi për tu piktakuar aty me miqtë, mikeshat, kolegët dhe të njohurit e mi në vitet e qëndrimit tim në kohën e studimeve në Paris. Këto janë fjalët që kujtoj sot në këtë ditë të trishtë”, shprehet Bejko.

Teksa kujton kafenetë e mbushura me turistë dhe piktorët nën urë, ai thotë se ka qenë fatlum që ka kaluar momentet më të bukura dhe më të rëndësishme të jetës në atë mjedis, i cili ka qenë një kapërcim kulturor i rëndësishëm me një impakt të veçantë në personalitetin e tij.

“Kafenetë plot me turistë përreth saj, piktorët poshtë urave ngjitur, bukinistët dhe libraritë e shumta në atë zonë, aksesi në transportin publik, gjallëria e zhurmshme në sheshin e gjerë para saj dhe nga ana tjetër qetësia që gjeje sapo kapërceje portën për të hyrë brenda mureve të dekoruara me artin kishtar, të bënon të përjetoje një ndjesi paqeje me veten dhe me mjedisin duke e bërë atë epiqendrën e Parisit policentrik.

Përredh atij mjedisi, kam qenë fatlum që kam kaluar momentet më të bukura dhe më të rëndësishme të jetës sime. Notre-Dame për gjithkënd që ka jetuar në Paris, është një kujtim me ndikim të veçantë në jetën e tij. Per mua personalisht përvoja jetësore në atë mjedis ka qenë një kapërcim kulturor i rëndësishëm me një impakt të veçantë në personalitetin tim”, vijon Bejko.

Ndërkohë, pedagogu shprehet optimist se me mbeshtetjen e UNESCO, të filantropëve, qytetetarëve, kishës dhe qeverisë franceze, Katedralja do të restaurohet sërish.

“Është e sigurt qe me mbeshtetjen e UNESCO, të filantropëve të shumtë, qytetetarëve,kishës dhe qeverisë franceze, Katedralia do të restaurohet sërish duke u kthyer në gjendjen e saj të mëparshme, me të njëjtën madhështi dhe magji.

Shpirtërisht në këtë moment jam pranë miqve të mi, të njohurve dhe gjithë francezëve për këtë humbje të jashtëzakonshme”, shprehet Roland Bejko./Politiko.al

Të fundit