Cikalleshi dhe Ajeti optimistë para Islandës: Reja ka ndryshuar atmosferën, duam fitore

Sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mbrojtësi Arlind Ajeti kanë besim se kombëtarja shqiptare e futbollit do të arrijë që të kalojë me sukses testin ndaj Islandës e më pas ndaj Moldavisë, në dy takimet e vlefshme për eliminatoret e Euro 2020.  Në konferencën për shtyp nga Frankfurti, sulmuesi kuqezi tha se nisur nga skemat që trajneri Edi Reja përdor, pritet që ekipi të shënojë më shumë gola.

“Duke iu referuar sistemit që trajneri Reja po bën, sulmuesit janë shumë të avancuar. Duke qenë 4 sulmues, me shumë mundësi do të luajmë 2, por nuk është vendosur gjithçka.

Nuk kemi problemi kush luan, kushdo që ka luajtur e kemi mbështetur. Ajo që do na ndihmojë shumë është entuziazmi. Jemi staf i ri dhe shpresoj që ta konkretizojmë në fitore. Ajo që dua është arritja e rezultateve të duhura. Edhe pse futbolli nuk është matematik, por ndjehet diçka e re një fillimi i ri. Shpresoj ta konkretizojmë me Islandën dhe Moldavinë.

Unë kam shënuar 2 gola dhe shumë shtylla, por nuk kam ngelur asnjëherë i pakënaqur. Më kënaq rezultati, duke qenë se luajmë me dy sulmues, shanset janë më të mëdha për të shënuar”, tha Cikalleshi.

Në lidhje me gjendjen e ekipit dhe takimin në Reikjavik foli edhe mbrojtësi Ajeti.

“Trajneri i ri më duket shumë i mirë, kemi bërë stërvitje me intensitet. Atmosfera me lojtarët dhe stafin është shumë mirë. Një gjë e tillë mungonte prej kohësh. Nuk kam përgjigje, nuk e di pse ishte ashtu. Ne mundohemi të japim maksimumin, pavarësisht trajnerit ne luajmë për kombin tonë. Ka ndeshje që nuk luajmë mirë, por jemi të gjithë fajtorë, shpresoj në ndeshjen e radhës të përmirësohemi”.

Forca jonë është të luajmë me zemër, me mbrojtje të mirë dhe trajneri i ri na ka dhënë disa gjëra ekstra. Do mundohemi të përcjellim ato çfarë do trajneri”, tha mbrojtësi i kuqezinjve.