Flash News

KRYESORE

Cilat janë programet “më të shtrenjta” dhe ato më “të lira” në televizionet shqiptare  

Cilat janë programet “më të shtrenjta” dhe ato

“Monitor” përpunoi edhe këtë vit ofertat e tre televizioneve kryesore në vend në lidhje me çmimet e reklamës që ato aplikojnë në programet kryesore. Në raport me një vit më parë, duket se çmimet mbeten në të njëjtin nivel në shumicën e tyre.

Pritshmëria ishte që, për shkak të pandemisë dhe buxheteve më të kufizuara të marketingut nga bizneset, të kishte një ulje të lehtë, por zakonisht edhe uljet bëhen në kohë negocimi. Kjo do të thotë që gjatë fazës së negociatave për blerjen e kohës televizive, të aplikohen çmime të tjera nga ofertat zyrtare, duke pasur parasysh periudhën e reklamimit, fashat orare apo elemente të tjera shtesë.

Por cilat janë programet më të shtrenjta dhe më të lira brenda ekraneve?

Në Top Channel, “Portokalli” mban rekordin me 8750 lekë/sekondë për reklamat që transmetohen gjatë programit, ndërkohë që para programit, aplikohet tarifa 4410 lekë/sekondë. “Shiko kush luan” dhe “Hell’s Kitchen” janë të dytët, me çmim 7800 lekë/sekondë gjatë emisionit dhe 4000 lekë/sekondë para emisionit. Programet më të lira për reklamim janë “Fshatrat e Shqipërisë”, “Wake Up”, “Top Talk”, që para emisionit variojnë mes 625-750 lekë/sekondë, ndërsa gjatë emisionit, çmimi është 1250 lekë/sekondë.

Në TV Klan, “Opinion” dhe “Klanifornia” mbajnë çmimin më të lartë për reklamat që transmetohen gjatë ndërprerjes së emisionit me 6750 lekë/sekondë, ndërsa para emisionit, çmimi është 3400 lekë/sekondë. “Zonë e Lirë” dhe “E diela shqiptare”, janë të dytët, me 5400 lekë/sekondë për transmetimin gjatë programit, ndërkohë që para tij është respektivisht 3400 lekë/sekonda dhe 1400 lekë/sekonda. “Stop” dhe serialet në “prime time” mbajnë vendin e dytë me 4400 lekë për reklamat gjatë transmetimit. Programi më i lirë për reklamim është “Aldo Morning Show” me 550 lekë/sekondë para programit dhe 950 lekë/sekondë gjatë programit.

Vizion Plus, në listën e programeve më të shtrenjta për reklamim, ka “Këngë Moj” dhe “Al Pazar” me 6600 lekë/sekondë për transmetimin gjatë emisionit ndërsa para emisionit, çmimi është 3000 lekë/sekondë. “Talk Show me Alban Dudushin” dhe “Binjakët” me 5000 lekë/sekondë, për reklama gjatë emisionit dhe 2500 lekë para tij. Emisionet me çmimet më të lira të reklamimit në ekranin e Vizion Plus janë “7 pa 5”, në mëngjes, me 300 lekë/sekondë para emisionit dhe 600 lekë gjatë transmetimit, ndërkohë që “Next” vjen i dyti me 500 lekë/sekondë para programit dhe 600 lekë gjatë transmetimit. Monitor

Të fundit