Flash News

OP-ED

Cili është kandidati i vërtetë i Ramës për Ministrinë e Brendshme?

Cili është kandidati i vërtetë i Ramës për

Gentian Gaba

Nëse tetorin mund ta pagëzojmë si “muaji i përgjimeve”, nëntori patjetër do të marrë emërtimin e “muajt të krizës institucionale”. Mosdekretimi i Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm nga ana e Presidentit Ilir Meta, dhe paraliza e Gjykatës Kushtetuese, po shtyjnë politikën në një fushëbetejë krejt tjetër nga ajo tradicionalja. Këtë nuk e dinë vetëm komentuesit e saj, që kanë folur gjerë e gjatë për kompetencat e Presidentit, edhe pse ato i njohin edhe studentët motakë të Shkencave Politike; por sidomos aktorët politikë, të cilët sot çirren për Kushtetutën, por në 5 korrik, “muajin kur u përdhunua Kushtetua” me ligjin ad hoc për ‘shembjen e Teatrit’, ngritën kartonët pa kurrfarë dhembshurie për ligjin themelor të Shtetit.

Nga këto premisa, me një rend institucional pa “check and balance”, beteja e mazhorancës për emërimin e një ministri të Brendshëm po kalon nëpërmjet një strategjie shumë të tërthortë.

Kur Rama u tha deputetëve të tij se “kjo është lojë shahu”, njohësve të skakierës do t’iu ketë ardhur në kujtesë sfida midis Anderssen dhe Kieseritzky. Quhet “Loja e pavdekshme”, emërtimi që mori përballja e famshme midis shahistëve të lartpërmendur në qershor të vitit 1851 në Londër, gjatë një turneu ndërkombëtar. Kjo garë u bë epike për shkak të sakrificave të guximshme me të cilat Andersen arriti fitoren. Duke i lënë kundërshtarit dy torret, një oficer dhe Mbretëreshën, e mposhti atë vetëm me gurët e vegjël.

“Arti i sakrificës” në shah, mund të marrë të njëjtat trajta nëse aplikohet edhe në strategjinë politike. Ku figurat e rëndësishme sakrifikohen, në bazë të vizionit me të cilin lojtari synon të arrijë fitoren.

Në bazë të këtij vizioni, nëse marrim për të mirëqenë që Rama e interpreton politikën si një lojë shahu, dhe që sigurisht është i vetëdijshëm për kontekstin politik dhe institucional në të cilin lëviz gurët e tij, mund të themi se Sandër Lleshi nuk ka qenë në asnjë moment kandidati i tij real për postin e Ministrit të Brendshëm.

Rënia e Lleshit në filtrin e Presidentit mund të interpretohet si sakrifica e qëllimshme e një kandidature, për të arritur të paktën dy rezultate.

I pari është krijimi i një krize. Me përcaktimin e stuhishëm të këshilltarit të tij si ministër i Brendshëm, Rama mbylli mediatikisht, dhe në Shqipëri është gati e barasvlershme me mbylljen e hetimeve nga ana e Prokurorisë, krizën e madhe të operacionit “Volvo 4”. Lajmi kryesor i të cilit nuk ishte arrestimi i dy ish-deputetëve, por përjashtimi nga hetimet i Vangjush Dakos. Kriza që nisi të shtunën, me JO-në e Presidentit, shërben për të spostuar gjithë debatin publik nga krimi, droga, përgjimet te raportet politike midis palëve. Një tymnajë e madhe që në mungesë të arbitrit, Gjykatës Kushtetuese, do të angazhojë energjitë e aktorëve në lojë, por edhe të opinionit publik, në një debat të pafundmë interpretimesh.

Rezultati i dytë është emërimi i një ministri afër traditës që Rama ka imponuar deri në këtë moment. Një person nga rrethi i tij i ngushtë, i cili duhet të jetë i shantazhueshëm si dy paraardhësit. Pra, një person i kontrollueshëm, që mos të bëhet mjet i ndërkombëtarëve, dhe të mos rrezikojë, nga pozitat e një ministri të rëndësishëm, Ramën apo pretorianët e tij.

Megjithatë, loja sapo ka nisur, dhe vëmendja e opinionit publik nuk duhet të jetë te çfarë shohim, por te ajo që mbahet larg vëmendjes sonë; sepse “në shah, sikurse në jetë, ai që parashikon, fiton”.

Të fundit