Flash News

KRYESORE

Cilin portret të vetes do të 'varë në zyrë' Presidenti Meta?

Cilin portret të vetes do të 'varë në zyrë'

Alfred Lela

Presidenti i ri i Republikës e ka filluar punën duke dhënë shenja të 'hapjes ndaj shoqërisë'. Tre ndër emërimet e tij të para, në një staf të gjerë këshilltarësh, duket se janë të pakontestueshëm për nga kurrikulumi i 'jetës dhe veprës'. Fakti që ka zgjedhur të punojë me profesionistë është për t'u përshëndetur.

Meta ka parapëlqyer edhe hedhjen e një ure me ekipin e Presidentit të mëparshëm, Bujar Nishani, duke mbajtur Ylli Asllanin, i njohur për afilacione të djathta. Sigurisht, Presidenti është ende në kohë për të bërë emërime që 'të bëjnë të vësh duart në kokë', si dhe për t'u kthyer te stili i përhershëm i kryetarëve, kryeministrave e krerëve të tjerë të shtetit shqiptar, që i marrin këshilltarët 'për t'i këshilluar.'

Duke pandehur të ligën që mund të vijë, megjithatë, nuk jemi në të drejtën tonë për të mos njatjetuar shenjën e mirë të asaj që është.

Dy janë sfidat e mëdha të Ilir Metës si President i Republikës: lidhjet me partinë-bijë LSI, dhe politika e jashtme.

Në fakt, njëra është sfidë dhe tjetra prioritet.

Në fillim sfida. Presidentit të ri do t'i duhet t'i dëshmojë opinionit publik dy gjëra në të njëjtën kohë, që ngjajnë në të njëjtën kohë të pamundura: se nuk është kryetari de fakto i LSI dhe, se nuk është 'burri' i Monika Kryemadhit. Meta dhe LSi nuk janë ai binomi i zakonshëm parti-kryetar. Çka e bën të jashtëzakonshme këtë lidhje është akti i themelimit: LSI lindi si rebelim i tij ndaj partisë-mëmë, PS. LSI, më shumë se skizmë e PS, është bijëz e Ilir Metës. Asnjë betim, asnjë pretenciozitet dhe asnjë precedent presidencial nuk e fshin dot këtë.

Ku do ta fshehë atëherë Ilir Meta, atë As që nuk i duhet, në këtë lojë që është në sytë e të gjithëve?

Një zgjidhje do të ishte moskompleksimi. Ilir Meta duhet të shmangë rënien në pritën komunikative të kundërshtarit: të mos lejojë që korniza ligjërimore të jetë 'Ilir Meta është President i LSI'. Kësaj mund t'ja nisë duke mos kundërshtuar përpjekjen e PS, që kërkon ta portretizojë atë si 'të anshëm'. Edi Rama e pat bërë që në fillim, kur ua paraqiste njerëzve si 'President të demokratëve'. Nëse Metën përpiqesh ta shfaqësh si 'të demokratëve', imagjono sa lirë e shet si 'të lësëistëve'.

Presidenti e ka nisur mbarë me emërimet e para, duke mos e kthyer Presidencën në një 'zyrë pune' për LSi-në, parti e cila nuk do t'i ketë më në dispozicion zyrat e punës; siç më parë i ka patur. Një Presidencë e mbushur me profesionistë dhe jo lsi-stë, është forma më e mirë për t'ua rrëzuar socialistëve kornizën komunikative 'Ilir Meta i LSI'.

Paradoksalisht, Metën do ta ndihmojë edhe 'pafuqia presidenciale' për të qenë një 'President mbi palët'. Presidenca është një institucion më së shumti i balancës dhe i nderit, dhe jo aq i kompetencave. Aty ku i ka disa kompetenca, Meta nuk duhet të turret për të treguar mujshari dhe hakmarrje. Kjo do ta zhbalanconte, dhe Kryeministri Rama galdohet së larti kur e sheh në 'shprishje' Ilir Metën.

Balancë të cilën Presidenti duhet ta kërkojë dhe mund ta gjejë te politika e jashtme. Nuk don shumë imagjinatë për të kuptuar se Ilir Meta do të jetë, de fakto, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë. Ai ka një përvojë të qartë dhe të fortë si shef i qeverisë dhe i diplomacisë, kohë gjatë së cilës ka krijuar korridoret e tij të njohjes.

Me grekët ai ruan një marrëveshje të sigurt, të paqtë e preferenciale, ngritur sidomos mbi anashkalimin që Rama i ka bërë Athinës në favor të Ankarasë.

Farnesina italiane ka kujtesë të gjatë perandorake. Dyer të vjetra druri masiv që 'regjistron' të gjitha trokitjet dhe 'përkujdesje brahmine' ka edhe Kongresi Amerikan apo Departamenti i Drejtësisë.

Atëherë, Metës i mbetet që sfidën ta kthejë në prioritet dhe prioritetin në sfidë.

Të fundit