Flash News

KRYESORE

Çizmja e Kryemadhit dhe Letra e Metës

Çizmja e Kryemadhit dhe Letra e Metës

Naum Mara

Dy objekte, të cilat i përkasin të njëjtës familje, kanë qënë gjatë kësaj jave, sendet më të rëndësishme të politikës shqiptare.

E para ishte çizmja e Monikës drejtuar kryeministrit Rama, ndërsa e dyta, letra e Metës drejtuar Presidentit Trump, që “kërkonte të falur”, për votën e Shqipërisë në OKB.

Duket, që kryefamiljari pa parti i familjes, së bashku me bashkëshorten e tij kryetare partie, e kanë humbur toruan dhe mund t’i lejojnë vetes çdo lloj veprimi politik, ose jo.

Le ta marrim me “qetësi dhe dashuri” dhe të gjykojmë për pak në favor të çiftit.

Le të themi, që Presidenti Meta, duke gjykuar në të mirë të Shqipërisë, ashtu si një pjesë e mirë e politikanëve shqiptarë, dhe sidomos atyre të Kosovës, e sheh votën kundër SHBA-së si të dëmshme për interesat tona kombëtare.

Por, Ilir Meta ka qënë edhe Kryeministër edhe ministër i Jashtëm, dhe e di fort mirë, që politika e jashtme e Shqipërisë është eksluzivitet i pushtetit ekzekutiv. Pushtetarëve të tjerë mund t’i lejohen komente dhe deklarata, por në asnjë mënyrë një letër zyrtare drejtuar një vendi tjetër, ku të hedhësh poshtë qëndrimin e Shqipërisë. Në rastin më të mirë, ky veprim bën qesharak autorin e letrës dhe institucionin e Presidencës, ndërsa në rastin më të keq, dëshmon se kontradiktat brenda institucioneve të një vendi janë aq të mëdha, sa mund të sjellin edhe përmbysje me dhunë.

Në një shtet normal, ndaj një veprimi të gabuar të ekzekutivit në politikën e jashtme do ndërmerrej një interpelancë në Kuvend e ministrit të Jashtëm ose e Kryeministrit, dhe mund të kërkohej edhe votëbesimi i qeverisë, por në asnjë mënyrë nuk “do lëpihej ajo që ishte pështyrë“. Të tilla veprime ndodhnin vetëm kur ishim në varësi të plotë të Baba Stalinit dhe nuk kishte ndarje të pushteteve.

Po pse Ilir Meta bën këtë veprim kaq të dëshpëruar, që është ku e ku më i keq, se ai i çizmes së bashkëshortes?

Muajt e fundit, ai po sheh se si po ja shkërmoq partinë Edi Rama. Po përdor të njëjtin “reaksion kimik”, që përdori në krijimin e saj Meta. Poste me përfitim dhe para të drejtpërdrejta. PS-ja po sulmon ashpërsisht të gjithë besnikët e Metës, që ndodhen ende në admininistratë duke ju marrë postet, si dhe po ofron para dhe tendera për këshilltarët e LSI-së në Tiranë, Durrës, Korçë etj.

Të larguarit nga PS-ja si të pakënaqur 14 vjet më parë, dhe rishtarët e tjerë, të afruar pranë LSI-së jo për ideale të majta, por për mundësi karriere, do largohen kur këto mundësi të zvogëlohen. Meta dhe Kryemadhi nuk mund të flasin hapur për këtë “lojë të papastër” të Ramës për t’ju shkatërruar partinë, dhe përdorin “letrën” dhe “këpucën”, si mënyra shantazhi dhe papajtueshmërie deri në vdekje me Ramën.

Ka një rrezik të madh për Shqipërinë, nëse këto dy sinjale i shikojmë si “sinjale mafiozësh”.

I pari është ai “luftë dhëmb për dhëmb, nëse vazhdon të na shkatërrosh partinë dhe kërcënosh me ndonjë arrestim të mundshëm”.

I dyti, po në këtë linjë, është ai i Presidentit me atributet e Komandantit të Përgjithshëm, që mund të krijojë me pushtetin e tij skenare të vitit 1997, nëse në vend gjatë vitit të ardhshëm do ketë trazira. Shpërndarja e parlamentit dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe se tani mund të duket si një variant fantastiko-shkencor, nuk ka pse mos i shkojë ndërmend Metës së rrezikuar.

Atëhere (shpëtona Zot!) do shohim Zhan D’Arkën e Frrok Çupit të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut me Skënderbeun e Spiropalit.

Mjerë Shqipëria!

Të fundit