Flash News

KRYESORE

Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2017, shpallen dy fituesit

Sot, në ArtTurbina është zhvilluar  ceremonia e ndarjes së Çmimeve Kombetare të Letërsisë 2017, organizuar nga Ministria e Kulturës.

Aida Baro është shpallur fituesja e Çmimit për veprën më të mirë të përkthyer për Vitin 2017, me veprën e autorit Primo Levi “Armëpushimi”, botuar nga shtëpia botuese Pegi,  me motivacionin:

“Për shqipërimin e frymëzuar gjatë përcjelljes së një mesazhi nga shekulli tragjik i ideologjive në një rrëfim-dëshmi ku përjetimi në vetë të parë i çnjerëzores kthehet në përjetësim të imperativit etik të njerëzimit.”

Ndërsa Henrik S.G. është fitues i  Çmimit  për veprën më të mirë letrare shqipe për Vitin 2017, me romanin  “Sonatë për gruan e një tjetri”, botuar nga Botimet  Dudaj me motivacionin:

“Për trysninë e fortë evokative të prozës së tij, për veçantinë e universalitetit që shpalos në një rrëfim ku personazhet dhe lexuesi krijojnë harmoninë e luhatjes mes dëshirës dhe ngutit, të dëshirës dhe kohës së pamjaftueshme për veten dhe kujtesën.”.

Fituesit u përzgjodhën nga  Juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë e përbërë nga  Parid Teferiçi, në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe anëtarët: Alma Mile, Olimbi Velaj, Agim Baçi, Albert Gjoka, të cilët me përzgjedhjen e kandidatëve ofrojnë publikut një listë librash shumë të mirë , që duhen  blerë dhe lexuar e më pas duhen ndarë me miq.

Çmimi për veprën më të mirë letrare shqipe akorduar nga Ministria e Kulturës vlerësohet me 500 000 lekë. Ndërsa, vepra më e mirë e vitit e përkthyer vlerësohet me 300 000 lekë.

Të fundit