CNN hyn në Shqipëri, me seli në Tiranë: Të ndryshojmë realitetin mediatik

Media ndërkombëtare CNN do të hyjë edhe në Shqipëri.  Kompania Gener2 do të sjellë A2, një stacion informativ të lidhur me CNN. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania Gener2. Stacioni i ri do të ketë selinë dhe qendrën kryesore të prodhimit në Tiranë, i mbështetur nga njësi informative të vendosura në qytete të tjera në Shqipëri dhe në rajon.

Ngritja e A2 është rezultat i bashkëpunimit të dy emrave të rëndësishme, Gener2 dhe CNN. Të dy liderë në sektorët përkatës, Gener2 e CNN do të sjellin së bashku ekspertizën lokale dhe atë botërore, standardet dhe kapacitetet për nisjen e stacionit të ri.

Stacioni televiziv, që pritet të nisë punën në fund të vitit, do të ofrojë mbulim për rezidentët në Shqipëri, si dhe miliona shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë vendit.

“Me ngritjen e këtij stacioni informativ, të lidhur me CNN, të vendosur në Tiranë, ne duam të rrisim nivelin e prodhimit të lajmeve lokale, të ndryshojmë realitetin mediatik në Shqipëri dhe të ofrojmë një burim informacioni të shpejtë, të thelluar, të saktë dhe të besueshëm.

Në zhvillimin e kësaj sipërmarrje të re, emocionuese ne kemi bashkëpunuar me ekspertë të medias me shumë përvojë, me kompani ndërkombëtare liderë të teknologjisë, kreativitetit e komunikimit dhe besojmë se produkti final do të jetë përtej asaj që është aktualisht në Shqipëri, si dhe në tregun mediatik rajonal”, tha Bashkim Ulaj, CEO i Gener2.

Si një degë ekskluzive e CNN, stacioni i ri televiziv do të plotësojë programin e vet origjinal me përfshirjen e programeve të zgjedhura të CNN dhe lajmeve të përkthyera në gjuhën shqipe.

“A2 ka të gjithë potencialin për të sjellë në Shqipëri një stil të ri dhe unik gazetarie, duke qenë se bëhet partneri ekskluziv i CNN për vendin dhe i bashkohet rrjetit tonë prej me më shumë se 1,100 degësh në mbarë botën. Presim me padurim të punojmë me Gener2  në muajt e ardhshëm në trajnim, konsultim dhe ide mbi përmbajtjet për të zhvilluar një platformë mediatike, që mund të kthehet në lider të informacionit në Shqipëri”, tha Greg Beitchman, zv/President, Content Sales and Partnerships, CNN International Commercial.

Ky është biznesmeni i fuqishëm që hyn në tregun mediatik shqiptar; sfidon Hysenbelliun, Ndroqin dhe Frangajn