Flash News

KRYESORE

COVID-19/ AMA ‘mbyll’ studiot e debatit

COVID-19/ AMA ‘mbyll’ studiot e debatit

Në situatën që është krijuar me covid-19 në vendin tonë, institucionet, publike apo private qofshin, kanë rendur të njoftojnë masat e tyre apo edhe të apelojnë për respektim të masave.

Mbrapa nuk ka mbetur as Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA. Nëpërmjet një njoftimi të posaçëm AMA, teksa i ka kërkuar mediave audiovizive mbrojtjen e personelit brenda mjediseve të redaksive dhe studiove ndër të tjera bën edhe një kërkesë që duket shumë ekstreme, e padëgjuar të ketë ndodhur ndonjëherë në vendet ku media ka një rol kyc në shoqëri.

AMA thuajse urdhëron kur kërkon që “në formatet informative apo forum, të mos ketë më shumë se 2 persona të pranishëm, duke respektuar distancat apo standardet që janë përfshirë dhe në udhëzimet që ka bërë publike së fundmi Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.

Autoriteti i Mediave Audiovizive kërkon gjithashtu që në këtë periudhë të ndalohet prezenca e publikut të përqëndruar në programe televizive direkte ose të regjistruara. Sipas tyre shtimi i lidhjeve direkte, në distancë, mënjanon rreziqet e transmetimit të virusit.

“Angazhimi dhe puna voluminoze e redaksive audio dhe audiovizive për raportimin dhe mbulimin e zhvillimeve në terren, duhet të marrë parasysh dhe shëndetin e personelit gazetaresk dhe mbështetës, për të mënjanuar efektet e padëshiruara nga raste të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, nënvizon në deklaratën e saj AMA duke mos harruar të paralajmërojë se “do të monitorojë transmetimet audiovizive dhe për rastet e evidentuara të neglizhencave apo shkeljeve të kërkesave të mësipërme do të fillojë procedurat administrative”.

 

Të fundit