Flash News

KRYESORE

COVID-19/ Manastirliu: Mbi 200 testime në Shkodër. Zbutja e masave? Jemi ende herët

COVID-19/ Manastirliu: Mbi 200 testime në Shkodër. Zbutja e masave?

Ndonëse rastet e personave të infektuar ka treguar shenja të rënies, Ministrja Ogerta Manastirliu nuk jep një datë fikse se kur do të ketë lehtësim të masave. Ajo shprehet se duhet të jemi të kujdesshëm, pasi opinionet e nxituara mund të rrëzohen nga fakte kokëfortë. “Ne kemi 4 pacientë të intubuar dhe 7 pacientë me oksigjen që janë përsëri në reanimacionet tona dhe 62 të shtruar në të dy spitalet. Nuk kemi një saturim të sistemit, po i absorbon shumë mirë rastet. Ka raste që në shtet të Azisë kur kjo kurbë është ulur dhe është kthyer sërish. Nuk do doja të nxitoheshim dhe të jepnim tani opinion që mund të rrëzohen nesër nga fakte kokëfortë sepse përballemi me një armik që është i pabesë”, tha Manastirliu për "Real Story".

Duke komentuar situatën në Shkodër, Manastirliu u shpreh se është kryer një testim i hollësishëm, ndërsa uljen e kurbës, shefja e Shëndetësisë e sheh si sukses të masave të qeverisë. “Në Shkodër është kryer një hetim i hollësishëm dhe janë kontaktuar kontaktet, janë testuar më shumë se 200. Strategjia është e njëjtë si në gjithë vendin. Shkodra ka pasur dy vatra, dhe strukturat janë fokusuar të bëjnë direkt izolimin dhe shkëputjen e zinxhirit të infeksionit. Ne ia kemi arritur ta zbusim këtë kurbë falë masave dhe duhet të presim nëse kemi hyrë në një kurbë të sheshtë, Çfarë na bën të relaksuar pak, në thonjëza është fakti që në spitalet tona nuk kemi mbingarkesë”, deklaroi ajo.

Sa i përket lehtësimit të lëvizjes, ministrja tha se ne do të shohim ditë pas dite trendin e rasteve të reja pozitive. “Ajo që OBSH vlerëson është që trendi i pozitives të mos kalojë një përqindje të caktuar. Nëse përqindja e rasteve që dalin pozitive në raport me testimet është 18-19 % atëherë jemi në një nivel të lartë. Ne nuk kemi vatra sociale, por vatra familjare. Jemi ende herët për të folur, por nuk jemi herët për të menduar strategjitë e daljes”, deklaroi Manastirliu.

Të fundit