COVID-19/ Meta: Kemi porositur dhjetëra mijëra tampone. Të mbrojmë personelin shëndetësor

Në lidhje direkte për emisionin “Real Story”, Presidenti Ilir Meta deklaroi se Shqipëria ka porositur dhjetëra mijëra tampone. “Shqipëria do t’i ketë të gjitha mundëstë e tamponimit. Por, mbi të gjitha është mbrojtja e personelit që të menaxhojnë këtë situatë. E dyta është që të testohen të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me të infektuarit e patjetër edhe testimi i atyre që kanë ndonjë shqetësim. Tamponet ekzistojnë dhe janë marrë të gjitha masat që të kemi disa dhjetëra mijëra të tilla”, u shpreh Meta.

Më tej, Meta u shpreh se e rëndësishme në këto momente është që të mbrohet personeli shëndetësor. “Sipas vlerësimit tim, sfida më e madhe që kemi ne në të gjithë këtë situatë të jashtëzakonshme dhe ende të panjohur mirë është të mbrojmë mjekët dhe personelin shëndetësor që është në vijën e parë të kësaj beteje. Kur ndodh që mjekët të infektohen në Itali, sigurisht që ka potencial të kemi të infektuar edhe këtu. Është e rëndësishme që të mos shkojmë deri në situatën e Italisë. Sot morëm masat dhe personeli i vijës së parë do të keetë të gjitha mjetet që duhet”, tha Meta.

Kujtojmë se gjatë të mërkurës paradite, u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare nën drejtimin e Presidentit Ilir Meta. Në fokusin e takimit ishte sitauta nga koronavirusi, ndërkohë që pjesëmarrës në mbledhjen, mbajtur online, ishte dhe kreu i PD Lulzim Basha.