COVID-19/ Një tjetër shtet ndalon hyrjen e shqiptarëve, e fut në “listën e kuqe” të vendeve me rrezikshmëri të lartë

Një tjetër shtet ka ndaluar hyrjen e shqiptarëve në vendin e tyre. Hungaria ka vendosur masa të reja kufizuese që prekin të huajt nga disa shtete, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Këto tre vende janë futur në listën e kuqe të vendeve me rrezikshmëri të lartë nga përhapja e COVID-19. Duke filluar që nga dita e mërkurë, hungarezët që kthehen nga vendet e kësaj liste dhe asaj të verdhë do të jenë të detyruar të bëjnë kontrolle dhe të qëndrojnë në karantinë për dy javë, edhe nëse nuk janë të infektuar. I vetmi përjashtim do të bëhet për ata që kanë dalë dy herë negativë në testin për koronavirus gjatë pesë ditëve të kaluara.

Ndërsa shtetasit e vendeve të listës së kuqe nuk do të lejohen fare të hyjnë në territorin hungarez thotë AP. Serbia, Bullgaria, Rumania, Portugalia, Rusia, Suedia dhe Britania e Madhe janë vendosur në listën e verdhë, ndërsa udhëtimi nga Kroacia, që është destinacion i popullarizuar për pushime për hungarezët, për momentin, po zhvillohet pa kufizime.

Lista do të përditësohet rregullisht.