Cristiano Ronaldon mund ta kishte blerë Milani

Transferimi i Cristiano Ronaldos tek Juventusi gjatë merkatos së verës ishte një ndër ngjarjet e mëdha në botën e futbollit, që erdhi fill pas Botërorit të Rusisë dhe ngjalli shumë zhurmë mediatike.

Pas “sistemimit” të tij tek ‘Zonja e Vjetër’, tashmë del një tjetër lajm që zbulon se largimi i Ronaldos dihej prej kohësh dhe se shumë ekipe ishin interesuar për të blerë 34-vjeçarin. Një ndër këto ekipe ishte edhe Milani.

Ky detaj u zbulua nga Vincenzo Montela, i cili tani është trajner i Fiorentinës, por që në atë kohë ishte në pankinën e skuadrës kuqezi.

“Kur isha ende te Milani, kishte një mundësi që Ronaldo të bëhej pjesë e skuadrës. Personalisht dëgjoja nga drejtuesit e tjerë që të përmendeshin bisedime, kontrata, por sinqerisht për asnjë moment nuk i besova plotësisht kryerjes së atij operacioni në merkato”, është shprehur Montela, duke zbuluar se largimi i Cristiano Ronaldos nga Reali planifikohej prej kohësh dhe se përveç Juventusit, në garë për shërbimet e tij ishin edhe skuadra të tjera.