Flash News
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Çudira shqiptare, gjykatat i japin 10-vjeçarit statusin ‘kryefamiljar’ dhe tokë bujqësore
E çuditshme, por e vërtetë! Ndonëse një 10-vjeçar, institucionet shqiptare I kanë dhënë të drejtën për të përfituar AMTP të vetën personale si kryefamiljar dhe tokë bujqësore në bazë të ligjit 7501.
Ky rast është denoncuar nga Elion Semanaj, kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme , në një deklaratë për mediat, duke marrë shkas nga ankesat e shumta për parregullsi dhe abuzim nga qytetarët.
Sipas Semanajt, raste abuzive janë evidentuar si në regjistrimet e vendimeve të gjykatave edhe në regjistrimin e akteve administrative të lëshuara nga Institucionet që krijojnë tituj pronësie, duke shpërdoruar autoritetin dhe kompetencat e ngarkuara me ligj, ndërsa jep edhe rastet konkrete.
“Mund të përmendim rastin kur me një vendim gjykate të një niveli më të ulët është rritur sipërfaqja e pasurisë me 20 Hektarë kur kjo pasuri dhe sipërfaqja është përcaktuar dhe regjistruar me Vendim të Gjykatës së Apelit.
Ky veprim është kryer në bashkëpunim me Zyrën Vendore e cila nuk ka ankimuar vendimin dhe nuk ka paraqitur provat e nevojshme pranë gjykatës. Kjo ka sjellë si pasojë rritjen e sipërfaqes në favor të spekulantit duke dëmtuar rëndë interesat e shtetit.
Në një rast tjetër flagrant, Zyra Qendrore gjatë kontrolleve ka evidentuar shkelje në lidhje me regjistrimet e akteve të marrjes së tokës në pronësi apo sic njihen AMTP.
Kështu Njësia Vendore ka plotësuar dhe konfirmuar AMTP për një person i cili ka qenë minoren në momentin e përfitimit të tokës bujqësore në bazë të ligjit 7501.
I gjithë dokumentacioni është përcjellë si i rregullt nga Njësia Vendore drejt Zyrës Vendore të Regjistrimit, gjë që bie në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Kështu ky minoren ka përfituar tokë bujqësore në familjen e babait të tij, por ka përfituar edhe AMTP të vetën personale si kryefamiljar kur në fakt ishte vetëm 10 vjec, në kundërshtim të hapur me ligjin.
Veprimet e kryera nga Njësia vendore nuk janë kundërshtuar nga Zyra Vendore por është vijuar me regjistrimin e akteve në kundërshtim me ligjin dhe VKM nr.994 të vitit 2015 ku pjesë përbërëse e dokumentacionit është dhe certifikata e gjendjes familjare e vitit 1991.
Në vazhdim të regjistrimit të abuzimeve me aktet e marrjes së tokës në pronësi janë dhe rastet e korrigjimit të zërave kadastralë të pasurisë. Ku si fenomen kryesorë kemi ndryshimin e zërit kadastral ranishte e kënetë, në tokë bujqësore në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në ligj.
Këto korrigjime dhe ndryshime të llojit të pasurisë janë kryer vetëm me akte të lëshuara nga Njësitë Administrative kur kompetent për të konfirmuar zërin kadastral është Drejtoria e Adminsitrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Qark dhe ndryshimi i zërit kadastral kryhet nga institucionet e ngarkuara me ligj”, u shpreh kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Ai shtoi se të gjitha këto veprime të kryera Njësia Vendore në bashkëpunim dhe me Zyrën e Regjistrimit kanë bërë të mundur regjistrimin e akteve të fitimit të pronësisë mbi sipërfaqen e kthyer në tokë bujqësore, në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore.