Flash News

KRYESORE

Çuko dhe Ndoka, reagon PD: Të gjithë presin arresimin e Dakos, Rama liron dy ish-deputetët

Çuko dhe Ndoka, reagon PD: Të gjithë presin arresimin e Dakos,

Partia Demokratike ka reaguar për lirimin nga burgu të dy ish-deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Demokratët theksojnë se ky nuk është një vendim i drejtësisë së pavarur, por është vendim politik i kryeministrit Edi Rama, skemë që e ai e ka përdorur edhe në rastin e Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm.

“Lirimi nga burgu i dy ish deputetëve të PS, Arben Ndoka dhe Arben Çuko nuk është një vendim i drejtësisë së pavarur, por është vendim politik i Edi Ramës! Kjo është e njëjta skemë që Edi Rama përdori me Saimir Tahirin për të mashtruar partnerët: i arreston me bujë dhe i liron e ju mbyll dosjet në heshtje”, thuhet në reagimin e partisë opozitare.

(“Volvo 4”, Gjykata nxjerr nga burgu dy ish-deputetët e Partisë Socialiste)

Me lirimin nga burgu të numrit 1 të Partisë Socialiste në Lezhë, që sundon me dhunë, krim dhe korrupsion, thotë PD, u rikonfirmua bindja e opozitës dhe shumicës së shqiptarëve se Forca e Ligjit nuk ekziston në Shqipëri dhe se ata që blejnë vota për Edi Ramën, ata që vjedhin për pushtetin ilegjitim të Edi Ramës qëndrojnë mbi ligjin.

Në reagimin e PD-së thuhet se Rama ka urdhëruar lirimin e dy ish-deputetëve në një kohë kur të gjithë presin arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

“Kur të gjithë presin dhe kërkojnë arrestimin e Vangjush Dakos për blerjen e votave me bandat kriminale, Edi Rama urdhëron lirimin e Arben Ndokës, i kapur edhe ky në përgjimet e dosjes 339 duke blerë zgjedhjet e vitit 2017 në Lezhë. Askush nuk ka më ndonjë dyshim se operacionet e bujshme përdoren nga qeveria për të mbytur me zhurmën e propagandës skandalet dhe krimet e qeverisë së Edi Ramës”, thuhet në reagim.

PD mbyll reagimin: “Ndryshe nga cfarë kërkojnë shqiptarët dhe bëjnë thirrje partnerët tanë strategjikë, realiteti flet qartë: Me Edi Ramën nuk ka luftë të vërtetë kundër krimit dhe korrupsionit, me Edi Ramën stabiliteti është vetëm një fasadë! Për sa kohë vendi është nën sundimin e krimit, i cili qëndron bashkë me Edi Ramën në karrigen e kryeministrit, kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë presin rradhën e lirimit nga akuzat dhe mbylljes së dosjeve të krimit!”

Të fundit