Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç deklaron se aktualisht është momenti më i favorshëm për vendin e tij që të nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare me Republikën e Kosovës. Në një intervistë për mediat vendase, Daçiç ka theksuar se administrata e presidentit Donald Trump në SHBA është e favorshme për interesat e Serbisë, ndërkohë që shqiptarët po përpiqen të shtyjnë marrëveshjen derisa këto rrethana të ndryshojnë.
“Ajo administratë nuk ishte aq e Obama-s sesa ishte e Clinton-nit”, ka thënë Daçiç duke iu referuar mbështetjes që Prishtina kishte nga Uashingtoni deri në momentin kur në ‘Shtëpinë e Bardhë’ ishte Barack Obama.
Por ministri serb i frikësohet edhe zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në SHBA dhe një kandidimi të mundshëm të Joseph Biden nën logon e demokratëve, ish-zv/president dhe mbështetës i madh i Kosovës.
“Një tjetër pyetje është nëse rikthimi i Joseph Biden do të jetë i mirë për interesat e Serbisë”, ka deklaruar Daçiç.
Këshilltarë të presidentit Trump dhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd kanë kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes brenda këtij viti, por pavarësisht mbështetjes që kanë marrë nga presidenti Hashim Thaçi, është kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, që refuzon të hapë negociatat për shkëmbim territoresh.
Discussion about this post