Daja hedh poshtë zërat: Nuk do të shkoj te Tirana

Trajneri Ilir Daja ka hedhur poshtë spekulimet për kalimin e tij te Tirana (ose Partizani), bazuar te shkrimet e mediave. Në një lidhje direkte në Abc News, ai e theksoi se ndihet mirë kur ka kërkesa në treg për të, por vendimin e ka marrë me kohë.

“Çdo opinion nga unv për këtë temë mund të sjellë keqkuptime, por unë jam trajner i Skënderbeut dhe do të vazhdoj të jem. Interesi që kanë klubet e tjera është një vlerësim, por do të jem edhe vitin tjetër te Skënderbeu”, ka deklaruar tekniku.

“Pasi u mbyll sezoni, vjet pata një bisedë me Takajn, i cili më ofroi një bashkëpunim të radhës me shpresë nga CAS. Në momentin që erdhi vendim i CAS-it, për hir të fjalës së dhënë, vendosa që ta mbaja fjalën që kisha dhënë. Te Skënderbeu nuk kam shkuar për para, pasi mund të merrja shumë më tepër në skuadra të tjera”, ka shtuar Daja.