Dalin në ankand godinat e ish-Universitetit Kristal, kompania nuk pagoi detyrimet

Trualli dhe ndërtesa e ish-Universitetit Kristal, në afërsi të Rinasit, kanë dalë për shitje përmes ankandit.

Shoqëria përmbarimore ka bërë shpalljen e ankandit, teksa kompania Kristal nuk ka shlyer një kredi aftagjatë, edhe pas ristrukturimit të saj, raporton Monitor.

Në shitje ka dalë një pasuri arë me sipërfaqje 1866 metra katror, me një çmim fillestar prej 8.1 milionë lekë, sipas vlerësimit të ekspertit.

Prona e dytë, me vlerë të lartë është pasuria truall + ndërtesë, ku trualli ka një sipërfaqe prej 4 mijë metra katror dhe ndërtesa 625 metra katror. Çmimi me të cilin fillon ankandi është rreth 122 milionë lekë.

Në total, çmimi i të dy pronave është rreth 130 milionë lekë, apo rreth 950 mijë euro.

Data e fundit e ankandit është 5 qershori.

Rritja dhe rënia e Univesitetit Kristal

Universiteti privat Kristal ishte një ndër më të mëdhenjtë privatë në vend, deri në vitin 2013, kur atij iu hoq licenca nga Ministia e Arsimit, së bashku me 17 shkolla të tjera të larta jo publike, për mospërmbushje të standardeve të arsimdhënies. Për vitin 2013, shkolla kishte deklaruar të ardhura prej 4.5 milionë eurosh, duke u renditur e treta, pas Albanian University dhe UET.

Në shtator të vitit 2014, kompania pezulloi statusin e saj, ndërsa ka qenë vazhdimisht në radarin e përmbaruesve, për detyrimet e shumta që kishte.