Dallku flet për sherrin mes tifozëve shqiptarë dhe kosovarë për kombëtaren

Ish-mbrojtësi nga Vushtria i kombëtares shqiptare të futbollit, Armend Dallku mendon se tifozët kuqezinj dhe ata të Kosovës nuk duhet të përziejnë politikën me futbollin.

“Unë e di saktësisht, sepse kam shumë miq nga Shqipëria dhe viset e tjera, se ata e duan shumë futbollin. Mirëpo, ndonjëherë po politizohet dhe po merr kahje tjetër kjo puna e Kosovës”, tha Dallku.

Ai më pas u ndal tek ecuria e Dardanëve.

“Shpresoj të kualifikohemi, sepse kjo është ëndrra e çdo shqiptari e jo vetëm kosovari, duhet ta potencojmë këtë fakt sepse kohët e fundit kemi disa mospajtime mes vetes. Unë e di saktësisht, sepse kam shumë miq nga Shqipëria dhe viset e tjera, se ata e duan shumë futbollin.

Në tetor e kemi një ndeshje kualifikuese dhe një miqësore edhe ne dhe Çekia. Çekia do të luajë kundër Anglisë dhe gjasat janë që ata do ta humbin këtë ndeshje dhe ne e kemi mundësinë që të dalim në vendin e dytë.”.

Dallku foli edhe për Shqipërinë.

“Sa i përket Shqipërisë, dua të them se ka një ekip që është në tranzicion e sipër sepse është ndërrimi i gjeneralëve. Ka shumë futbollistëve që janë larguar ose janë afër kësaj. Duhet t’i japim edhe hapësirë dhe kohë. Gjithashtu kanë ndryshuar edhe trajnerin. Trajneri aktual, sipas meje, është ekspert mjaft i mirë i futbollit, mirëpo për ta ndërtuar një ekip futbolli, sidomos kombëtar, duhet më shumë kohë”, u shpreh Dallku.