Danimarka ‘frenon’ Trump: Ideja për blerjen e Grenlandës është absurde

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaron se ideja e presidentit amerikan, Donald Trump, për të blerë Grenlandën nga Danimarka është “një diskutim absurd”, duke përsëritur se territori gjysmë-autonom danez në Arktik nuk është në shitje.

Mette Frederiksen, që po viziton ishullin më të madh në botë për të takuar kryeministrin Kim Kielsen, sqaroi se “Grenlanda nuk është daneze. Grenlanda është grenlandeze. Shpresoj me këmbëngulje se kjo nuk është diçka që është menduar seriozisht”.

Frederiksen të dielën nënvizoi se Arktiku, me burime që Rusia dhe të tjerët mund të shfrytëzojnë për përfitime komerciale, “po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për të gjithë bashkësinë botërore”.

Trump do të vizitojë Danimarkën në fillim të shtatorit, si pjesë e një udhëtimi në Evropë.