Flash News

OP-ED

Darka e fundit

Darka e fundit

Gordana Suša / gazeta Danas

Federika Mogerini shtroi në Bruksel darkën e saj të fundit, në një paketë me liderët e vendeve kandidatë për antarsim në Bashkimin Europian, ndërkohë që dihet mjaft mirë se pas ndonjë jave, muaji apo dite, as kjo paketë, e as ky format nuk do të jetë i njëjtë dhe si e tillë, mund të themi se ishte darka e fundit.

Njëlloj si në pikturën e Da Vinçit, të njohur si „Darka e fshehtë“ ku nënvizohet mesazhi i fshehtë, i cili është njëfarë kodi, që tregon njerëz të zakonshëm vdektarë me mangësitë dhe virtytet e tyre, sepse as Krishti dhe as Apostujt aty nuk janë pikturuar si të shenjtorë mbi kokat e të cilëve rrezaton nimbusi, po kështu edhe në ftesën e përfaqësueses së lartë, krejt të kundërt me atë të shenjtorëve, nënvizohet kodi europian, i burokracisë së pavendosur dhe të tëhuajsuar europiane, e cila, edhe pse nuk e mban fjalën, gjithsesi i përmbahet disa rregullave diplomatike të sjelljes siç është darka e fundit e lamtumirës.

Këtë fakt, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, e provoi në lëkurën e tij! Jo vetëm ai! Kam frikë se kjo mos është darka e lamtumirës me Europën për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse perspektiva e bashkësisë së fortë demokratike të popujve europianë, po bëhet gjithnjë e më e mjegullt dhe e panjohur. Europa po grimcohet dhe fragmentohet politikisht, po bëhet ksenofobike dhe e shurdhët ndaj shkeljeve të dukshme të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, dhe atë nuk po  e ndihmojnë as thirrjet e shumta të intelektualëve botërorë që e këshillojnë se duhet t’i kthehet vetvetes dhe burimit të saj.

Lodhja dhe joefikasiteti i saj, induktojnë lodhje edhe te fqinjët ndërsa integrimet europiane, të cilat në fillim të këtij mijëvjeçari u shpallën si perspktivë e tërë rajonit, tani duken më të largëta se kurrë.

Kështu është puna me liderët autoritarë që hodhën shtat nën sqetullat europiane që tani po u hapin rrugë aktorëve të tjerë, (Rusisë, Kinës, Turqisë) të cilëve as që u intereson aspak ndonjëfarë bashkësie, por e shohin Ballkanin Perëndimor si një zonë e ndikimit të papërlyer kolonial, të ngjashëm me kapitalizmin e egër dhe autoritar që mbretëron në këto vende.

Për Xhorxh Oruellin, lindur në fillim të shekullit të njëzet„viti 1984“ ishte pamendueshmërisht i largët. Ndoshta e ka parandjerë se nuk do ta presë sepse vdiq i ri, 38 vite më parë, por pati një vizion të pagabueshëm sesi do të jenë punët. Për mua, tu them të vërtetën, edhe viti 2025 më duket shumë larg pas tërë këtyre viteve pritje të Godosë BE, sepse po ecet përsëri prapa me „ecjen e gaforres“, po përmenden disa zgjidhje të reja të vjetra mbi të cilat ka shumë mundësi të flitet vetëm vitin e ardhshëm, në samitin pasardhës BE- Ballkani Perëndimor.

Edhe përmenden ndryshimet e rregullave, gjë e cila do të godasë në mënyrë të veçantë Malin e Zi i cili i ka hapur të gjithë kapitujt me përjashim të njerit! Më tej përmendet modeli norvegjez- në vend të antarsimit në BE ofrohet antarsim në dy institucione kyçe europiane- Bashkësia Europiane për Tregtinë e Lirë (EFTA) dhe Hapësira ekonomike europiane (EEA).

Pastaj përmendet integrimi sektorial domethënë mundësia që me mbylljen e një kapitulli të caktuar vendi integrohet plotësisht si të ishte antar me të drejta të plota i BE-së, gjë me të cilën do të kishte akses në fondet e parashikuara për sektorin që përfshihet në këtë kapitull. Duke patur parasysh sesa ishte e ndotur Serbia këtyre ditëve dhe nga ana tjetër kapitujve të ekologjisë „as u ka marrë erë“, nuk ka as shpresë dhe as para që të ndryshojë diçka në në një të ardhme të afërt në këtë plan, e nga ana tjetër pushteti aktual me qetësi të përkryer mbështet teknologjitë e ndyra, helmon popullin e vet në përfitim të xhepit të vet dhe të atij të tjetërkujt sepse „Europa udhëton“ larg e më larg.

Përmendet edhe i ashtuquajturi partneritet i privilegjuar me BE të cilin faktikishte kishte dikur Jugosllavia e dytë si antarë e përbashkuar. Në këtë periudhë, po flas me përafërsi, u harmonizuan afro 12 mijë ligje me rregullativën europiane, u hoq delikti verbal, ndërsa qeveria e atëhershme e Ante Markoviçit „prodhoi“ dinarin e konvertueshëm, borxhi i atij vendi të madh të atëherfshëm u reduktua në tetë miliard dollarë... E megjithë filloi lufta.....!

Dhe kjo nuk duhet harruar, duke mos zvogëluar përgjegjësinë vendore, në shumë gjëra kjo luftë ishte përgjegjësi e Europës së pavendosur. Edhe pas luftës u fol për hyrjet në BE me shumë shpejtësi dhe ndarjen e saj, gjë që e propozon Makroni, për një bërthamë të fortë të Gjermanisë dhe Francës, me një valutë dhe treg pune të përbashkët, në klasën e dytë do të mbeteshin vendet e zhvilluara me tregti të përbashkët, ndërsa klasa e tretë do të ishte vagoni i mallrave i destinuar për varfanjakët e luftës së Ballkanit Perëndimor me përfshirje eventuale të Rusisë dhe Turqisë!!!

Atje ku ishte Turqia para 32 vitesh kur paraqiti kërkesën për antarsim në BE (1987), kërkesë kjo e pranuar 12 vite më vonë (1999) është Serbia sot. E mbërthyer në kapitullin e gjashtëmbëdhjetë si edhe Turqia me problemin e pazgjidhur të Qipros ndërsa Serbia me atë të Kosovës, me Erdoganin që është shembull dhe mik i madh i Vuçiçit, që udhëheqin në mënyrë të ngjashme, madje kanë edhe të njëjtën retorikë: „Pas gjithë këtyre viteve le të na pranojnë ose le të na refuzojnë“. Për fat të keq, pavendosmëria e Europës u shkon për shtat si njerit ashtu edhe tjetrit! Kanë një justifikim të mirë për të bërë atë që duan, të flasin me gojën plot për prioritetin e rrugës europiane duke iu mrekulluar që të dy armëve shkatërruese ruse!!

Prandaj për çdo qytetar të Serbisë dhe rajonit, që është sinqerisht mbështetës i vlerave dhe standardeve europiane, edhe samiti i radhës i Ballkanit Perëndimor është larg, nëse brenda këtyre vendeve nuk forcohen forcat proeuropiane dhe nuk artikulohen me zë më të lartë qëndrimet e tyre.

Sepse darka e fundit me Mogerinin nuk mund të jetë detyrimisht edhe darka e fundit me BE-në!

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

 

 

Të fundit