Dashamir Shehi i bindur: Basha na garantoi se nuk ka koalicion me PS

Kandidati i PD-së për deputet, Dashamir Shehi është shprehur i bindur se nuk do të ketë një koalicion me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Shehi deklaroi në emisionin “Arena” në Ora News, se Basha u ka dhënë garanci se nuk do të ketë koalicion me Edi Ramën. Ai theksoi se personalisht ishte kundër një koalicioni të tillë dhe do të preferonte të qëndronte në opozitë sesa të bashkëqeveriste me të majtët.

“Nuk ka asnjë lloj marrëveshje. Një njeri si unë nuk do të pranoj një marrëveshje me të majtën asnjëherë. Më mirë rri në opozitë se sa të bashkëqeveris me të majtën. Në qoftë se një qeveri i ka ardhur dita për t’u rrëzuar le të rrëzohet. Unë i drejtohem popullit demokrat që qeverisje të përbashkët nuk ka për të pasur. Na e ka siguruar këtë Basha. Ne duhet t’i fitojmë vetë zgjedhjet. Qenë në qeveri këta 4 vjet, bashkë me aleatin, u puthën dhe u grinë. Po i lamë këtë radhë kushedi çfarë do të bëjnë. Këta kanë pasur mazhorancën më të madhe në Shqipëri. Këta nuk kanë shirita të presin”, ka thënë Shehi.

Kërcënimi ndaj Metës, Fatos Lubonja: Ruçi ka koalicionin e fshehtë PS-PD nga mbrapa