Debate me tone të ashpra në mbledhjen e PS në Shkodër, flet deputeti: Pati qejfmbetje personale

Është shoqëruar me debate të ashpra mbledhja e PS në Shkodër, e organizuar në prag të zgjedhjeve brenda partisë.

Ky takim mësohet se është shoqëruar me tone të forta, madje sherri është dëgjuar edhe përtej dyerve të mbyllura të mbledhjes. Në një dalje për mediat, deputeti Arben Pëllumbi, nën cilësinë e koordinatorit të qarkut Shkodër ka sqaruar se me vendim të Kryesisë së Partisë Socialiste është shkrirë struktura drejtuese e PS-së në Shkodër. “Ky grup që kishim sot zëvendëson pikërisht mungesën e atyre strukturave drejtuese të partisë për të menaxhuar dhe koordinuar procesin e zgjedhjeve në PS. Në të gjitha bashkitë e vendit këtë proces e menaxhon kryetari partisë së bashkisë së bashku me asamblenë socialiste. Në Shkodër meqenëse nuk i kemi këto struktura, kemi këtë grup nismëtar koordinatorësh dhe stafet që ata kanë zgjedhur pikërisht për të menaxhuar të gjithë kalendarin e zgjedhjeve në PS, ashtu si edhe Bashkinë e Shkodrës”, tha Pëllumbi.

I pyetur lidhur me debatin me tone të forta, ai tha se nuk përjashtohen mundësitë që individë të caktuar të kenë edhe probleme personale apo qejfmbetje personale.

Sa i takon situatës në bashki, Pëllumbi tha se i takon Presidentit të Republikës, që ti japë zgjidhje këtij problemi duke dekretuar një datë të re për zgjedhje të pjesshme.

Po ashtu, deputeti socialist është ndalur edhe te deklaratat e fundit të kreut të PD, Lulzim Basha për zgjedhje të parakohshme.

“Ato janë deklarata tashmë të përsëritura, edhe pse në vetvete përbëjnë një hap përpara në ç’tensionimin e situatës e cila u tensionua në mënyrë krejtësisht artificiale. Për këtë arsye ne jemi një dorë e shtrirë për të bashkëpunuar me opozitën, por ky bashkëpunim kalon nëpërmjet një komisioni që është komisioni zgjedhor. Ne nuk mund të kemi një palë zgjedhje, qofshin këto edhe të 2021-shit, në qoftë se nuk materializojmë në Kodin Zgjedhor, ndryshimet që janë kërkuar të paktën nga OSBE-ODIHR, pastaj edhe ndryshimet që kërkojmë ne vetë si forca politike”, tha Pëllumbi.