Flash News

KRYESORE

Debati i Bashës te Xhunga me pedagogun e Çilit: çfarë janë krizat, groshë?!

Debati i Bashës te Xhunga me pedagogun e Çilit: çfarë

Të hënën, kryetari i opozitës është futur në një lidhje direkte në emsionin e Rudina Xhungës 'Dritare', në Vizion Plus. Në panel ka qenë edhe një pedagog i UET, i angazhuar me shkrime dhe dalje televizive kundër protestës së opozitës. Më poshtë është debati i plotë mes tij dhe shefit të opozitës.

Ervis Iljazi: Z.Basha, përse ju nuk kushtëzuat miratimin e Reformës në Drejtësi me aprovimin e Reformës Zgjedhore për të marrë të gjitha garancitë legjislative, institucionale për të patur vota të lira dhe të ndershme. Qoftë edhe me votimin elektronik, apo të gjitha ato teza që ju keni hedhur. Pra, për të marrë një zgjidhje institucionale, ligjore dhe a nuk ju duket se po kërkoni të realizoni një parim të rëndësishëm që është vota e lirë, duke shkelur një parim tjetër, që është e drejta kushtetuese e kësaj mazhorance për ta çuar këtë mandat deri në fund. Pra ku e gjeni ju forcën politike ti kërkoni një mazhorance mbi 80 vota, që t’jua dorëzojë pushtetin në tavolinë?

Lulzim Basha: Po e nis me të parën. E vërteta është krejt ndryshe. E vërteta është që unë e kushtëzova votën tonë për Reformën Kushtetuese. Kushtëzova votën për Kushtetutën me dy kushte. Kushti i parë, të hiqeshin të gjitha barrierat për votimin elektronik dhe numërimin elektronik. Kushti i dytë, shtatë ligjet kryesore të miratoheshin me konsensus për të shmangur që mazhoranca e bërë pishman për ndryshimet kushtetuese të standardit europian, e në veçanti për formulën Nulland-Han, të kapte ato që humbi gjatë negociatave për kushtetutën, kur ne, BE, SHBA dhe në veçanti Komisioni i Venecias, triumfuam për një paketë kushtetuese të standardeve europiane. Kjo marrëveshje ka dy dëshmitarë. SHBA-të me përfaqësuesin e tyre në Tiranë dhe BE-në me përfaqësuesin e tij në Tiranë. Pasi u bë kjo marrëveshje, Edi Rama e theu, siç ka thyer në dijeninë time shumicën dërrmuese, për të mos thënë, të gjitha marrëveshjet deri më sot, si kryeministër dhe si kryetar opozite. E theu këtë marrëveshje dhe kjo është kriza aktuale e Reformës në drejtësi. Çfarë ndodhi pas kësaj? Për Reformën në Drejtësi, SHBA-të ia futën dy këmbët në një këpucë dhe e detyruan të pranonte formulat konsensuale të opozitës dhe si rezultat ligji për SPAK-un, për strukturën e posacme antikorrupsion dhe BKH-në e famshme, Byronë Kombëtare të Hetimit, ka votat tona në Parlament. Eshtë votuar në mënyrë unanime. Nuk është faji i BE-së se Rama ka mashtruar BE-në, SHBA-në dhe Presidentin e SHBA-së, edhe si Kryeministër, edhe më parë si kryetar opozite. Pse jemi këtu në këtë shesh. Sepse Edi Rama me vetëdije sabotoi çdo mundësi institucionale, politike, për ta zgjidhur këtë. Kjo pra është e vërteta. Ne insistuam, mos harroni. Shikoni arkivat tuaja si gazetarë. Me 21 korrik më ka marrë Angela Merkel në telefon. Shikoni transkriptin e bisedës. Përgëzime për rolin tonë për përcaktimet kushtetuese dhe garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shiko transkriptin e bisedës me Komisionerin Han, me Victoria Nulland.

 

Ervis Iljazi: Përse nuk krijuat një krizë politike në atë moment?

Lulzim Basha: Përse nuk krijova unë një krizë politike në atë moment? Po, ç’është kjo pyetje? Po pse, çfarë është kriza politike. Ha groshë, dhe bëj një krizë politike? Sepse u përpoqa me të gjitha forcat për një zgjidhje institucionale. Dhe një nga një, hapat u shteruan. Këmbana ishte Dibra, ku u tregua se plani i Edi Ramës nuk ishte thjesht influencimi i procesit zgjedhor nga krimi por asgjesimi i zgjedhjeve. E di ç'do të thotë kjo? Që mos të kesh më forca politike. Por që të kesh nga një anë forcat politikë, dhe nga ana tjetër krimin. S’kishte PS në Dibër. E ke të qartë këtë? U strukën një pjesë, një pjesë erdhën tek ne, të neveritur nga kriminelët që ishin futur në shtabe, dhe nuk pati fushatë. PS nuk pati fushatë dhe ditën e zgjedhjeve nuk pati zgjedhje. Asgjësim i proçesit politik. Ky është udhëkryqi ku ka ardhur Shqipëria dhe kjo është një këmbanë shumë më e madhe se sa për fatin e partive politike. Sipas kësaj logjike, duhet ta lëmë që ta bëjë të gjithë Shqipërinë Dibër, ta bëjë një thertore elektorale, pastaj çfarë? Pastaj ka destabilizim. Nëqoftëse ne lejojmë që ky të vjedhë dhe të shkatërrojë zgjedhjet e Qershorit, Shqipëria shkon drejt destabilizimit. Prandaj kjo është një lëvizje stabilizuese, jo destabilizuese. E gjithë gjuha e destabilizimit vjen nga këta, ’97, etj, etj. Ne jemi këtu për stabilizim, për paqe, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ervis Iljazi: Nuk ju duket se po kërkoni pushtet në tavolinë, të pamerituar?

Lulzim Basha: Jo, pra jo, fare. Sapo ia sqarova kolegut tuaj. Përgjigjia është e qartë, jo. Dhe nuk ke asnjë arsye ta thuash këtë sepse kështu do të ishte nëse do i thosha, ik ti, të vij unë. Ti thua ky ka mandatin. Kjo është shumë e rëndësishme, por do kesh durim ta dëgjosh. Mos të bëjmë propagandë me njëri tjetrin.

Ervis Iljazi: Jo unë s’po bëj propagandë, po bëj pyetje.

Lulzim Basha: Unë t’i lexoj shkrimet dhe ndonjëherë janë puro propagandë. Nuk e di nëse e ke nga mosthellimi.

Ervis Iljazi: Zoti Basha, unë nuk jam i mosthelluar sepse studimet e mia i kam bërë që të thellohem.

Lulzim Basha: Më vjen shumë mirë dhe uroj mos të jesh nën presion, sepse universiteti ku punon, është klienti numër 1 i kesaj qeverisjeje, është arsyeja pse u bë ligji për arsimin e lartë.

Ervis Iljazi: Kolegët e mi i ke ç’do ditë në çadër, ndaj lëre këtë propagandë.

Lulzim Basha: Shumë mirë, bravo iu qoftë. Nuk e kam me ty këtë debat. E kam me pronarin e universitetit tënd.

Ervis Iljazi: Pse kjo është Republika e Re? Njerëzit që janë kundër teje qenkan të frustruar, ata që janë pro teje qënkan të lirë. Eshtë mendësi totalitare. Më vjen keq që po ta them.

Lulzim Basha: Këtu, në këtë protestë, kanë ardhur kundërshtarë politikë të Partisë Demokratike, kështuqë kjo që thua ti nuk vlen fare.

Ervis Iljazi: Ku e gjeni forcën ti kërkoni kësaj mazhorance të ikë nga pushteti?

Lulzim Basha: Unë e gjej forcën te Xhorxh Uashingtoni, kur i tha sovranit, mbretit anglez, shporru. Shporru se këtu do jenë SHBA-të, nuk do jetë më kolonia jote. Forca është kjo. Ku e gjen forcën ky, që Republikën e Shqipërisë ta kthejë në Republikë krimi? Mandatin për çfarë e mori? Që të sillte Arben Ndokën, të sillte Armando Prengën, Elvis Roshin, Artur Bushin? Që të sillte Shqipërinë në krye të listës së prodhimit të kanabisit? Që të zhbënte çdo garanci demokratike? Që ta kthente parlamentin në teatër ku nuk respektohet as rregullorja, as kushtetuta, as ligji. Po të përgjigjem me një fjali që për fat të mirë nuk është e imja por e një miku që erdhi këtu, Senatori, Mario Mauro, ish zv-Kryetari i Parlamentit Europian, ish Ministër i Mbrojtjes: Kur qeveria bojkoton demokracinë, mos i kërko opozitës pse bllokon parlamentin sepse s’ka më parlament.

Ervis Iljazi: Kjo që thua ti është keqqeverisje zoti Basha. Unë po flas për sistemin.

Lulzim Basha: Sistemi është vetëm një nocion abstrakt në momentin që nuk funksionon në praktikë.

Ervis Iljazi: Këtë keqqeverisje e dënon populli me votë, regjimin e ndërton opozita me mazhorancën. Eshtë tjetër gjë.

Lulzim Basha: Kjo është beteja, që të kenë votën qytetarët, mos ta kenë kriminelët kjo është beteja për të cilën po qëndrojmë këtu.

Ervis Iljazi: Ky është një parlament i dalë nga vota të lira dhe të ndershme sepse i ka menaxhuar qeverisja e partisë tuaj dhe ky është fakt. Duke qene i tillë mendoj që ka të gjithë të drejtën kushtetuese, moralin politik dhe juridik të aprovojë ç’do reformë që i duhet vendit. Atëhere ju pse nuk i ndani këto dy gjëra. Pse nuk i ndani zgjedhjet e lira dhe të ndershme nga drejtësia? Ky është një parlament që ka dalë më vota të lira dhe ka të drejtën kushtetuese dhe morale për të aprovuar reformën në drejtësi, ndërsa zgjedhjet e lira janë për legjislacionin tjetër. Nuk e kuptoj pse nuk i ndani këto dy gjëra, këto dy momente?

Lulzim Basha: Nuk e kuptoj se çfarë nuk kupton zoti Iljazi. Sepse reforma në drejtësi ka kaluar. Paketa kushtetuese ka kaluar, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha janë përgëzuar nga Europa dhe nga Amerika për këtë. Për çfarë e ke fjalën? Për vettingun? Tani, vetëm nëse bëjmë përsëritje. Për arsyen e thjeshtë, sepse kjo që kanë sjellë në parlament, është në thyerje të paktit që kanë bërë para SHBA-ve dhe BE. Shkelën paktin dhe e bënë ligjin për vettingun, ligjin për KLGJ, KLP dhe ligje të tjera, siç ua donte qejfi.

Ervis Iljazi: Ligji u shpall kushtetues nga Komisioni i Venecias dhe nga Gjykata Kushtetuese.

Lulzim Basha: E ke gabim. Nuk bëhet shpallja nga Komisioni i Venecias.

Ervis Iljazi: Po e pranoi pra, nuk e ktheu.

Lulzim Basha: Do të futesh në argumenta? Atëhere dëgjo pak dy gjëra. Venecia nuk shpall ligjin e vettingut kushtetues apo jo. Lexo vendimin e Gjykatës Kushtetuese se çfarë ka thënë. I paske lexuar titullin, jo substancën. Një për një i ka dhënë të drejtë opozitës. Drejtori që kontrollohet nga kryeministri nuk mund të bëjë kontrollin e gjyqtarëve sepse nuk do e bëjë sipas formulës Hahn-Nuland por do e bëjë sipas formulës Rama-Shullazi. Ky është problemi. Ky është shqetësimi im se nuk kam asgjë personale as me ty, as me pikëpamjet e tua. Luftoj që të kesh pikëpamje të kundërta me mua, të kesh lirinë ti shprehësh, por thelbi është thelb, fakti është fakt. Shqiptarët dhe Partia Demokratike votuan për reformën Hahn-Nuland, jo për reformën Rama-Shullazi. Kaq është.

Të fundit