Flash News

OP-ED

Degradimi

Degradimi

Fitim Zekthi

Në novelën e Franz Kafkës “Metamorfoza”, personazhi Gregor Samsa zgjohet një mëngjes, pas një nate me ëndrra të këqija, dhe sheh se është transformuar në një insekt shumë të madh. Tërë familja e tij tmerrohet nga kjo që i ka ndodhur  dhe nuk di se ç’të bëjë tashmë me këtë krijesë të neveritshme.

Bash si krijesa në novelën e Kafkës, është edhe diskuri ynë publik, debati mbi politkën, kulturën dhe gjithçka tjetër. Ndryshe nga novela e Kafkës, diskuri ynë publik nuk u bë një insekt gjigand dhe i neveritshëm në një natë. Dhe ndryshe nga Gregor Samsa, që e kuptoi menjehërë sapo u zgjua se ishte shndërruar në një insekt gjigand, diskuri ynë, debati ynë publik nuk është i vetëdijshëm se është shndërruar në një insekt gjigand dhe të neveritshëm. Kjo mund të ketë ndodhur pë shkak se nata gjatë të cilit ka ndodhur ky transformim ka qenë shumë e gjatë, disa vite, dhe ëndrrat mund të kenë qenë edhe më të këqija dhe turbulluese.

Kështu, po të hedhësh sytë  nga debati ynë publik vëren se niveli dhe përgjegjësia me të cilën artikulohet mendimi, ndërtohet ai dhe diskutohet në Shqipëri sot, do të bënte të turpërohej çdo student mesatar. Sindroma e përdorimit të fjalëve pa kuptim, e gjetjes së fjalës dhe pastaj formulimit në funksion të kësaj të mendimit apo fjalisë, papërgjegjshmëria dhe mediokriteti në përdorimin e metaforave, janë shndërruar në atë që ishin shndërruar për Fidel Kastron fjalimet pafund të gjata për revolucionin.

Kjo nis nga universitetet dhe nga profesorët e tyre, e më pas zbret në Parlament, Qeveri, korridoret e zyrave dhe studiot e televizioneve. Përkufizimi më i saktë për gjithë këtë është: Futja kot se je në rregull!

Për shembull, një profesor i Ekonomisë në Universitet flet në televizion për rënien e vlerës së euros dhe e shpjegon atë me thjeshtësinë e një bisede në kafe, pa analizë, pa pranëvënie, pa ballafaqim faktesh etj. Kryetari i Komisionit të Ligjeve shkruan në doktoraturën e tij se “Inspektimi në veçanti, është një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së mjedisit, pasi në këndvështimin tim është çelësi i çdo gjëje, nisur nga shprehja popullore gjithkohore, ‘frika ruan vreshtin’. Çmenduri! Në një punim shkencor ku kërkohen gjetje të reja empirike, qasje teorike dhe prurje të re në të, kemi fjalë të urta.

Një analist i njohur shkruan në një gazetë për protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre dhe për të treguar kush e di se çfarë përdor metaforën “nyjë dragoniane”. Në qoftë se profesori i Ekonomisë ka keqkuptuar edhe Ekonominë si shkencë, edhe ligjërimin publik, analisti ka pasur në mend një metaforë dhe ka dashur ta fusë atë në fjali, me mendimin se kështu shkrimi bëhet më i thekshëm. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë është më i sinqertë, ai ka shkuar atë që ka menduar, pavarësisht se ai është tekst specifik. Nuk ka një nyje dragoniane, por një nyje gordiane. Drakoni ka qenë një legjislator dhe sundues i njohur për masa të ashpra, ndërsa Gordi ka zgjidhur një nyje të pazgjidhshme duke e prerë atë.

Një profesor i Shkencave Sociale, ish-Ambasador, botoi pak kohë më parë një libër qesharak, krejt të dobët. Ai thoshte në atë libër se komunizmi në Europën Lindore dhe, sigurisht, edhe në Shqipëri, ishte në pushtet në mënyrë legjitime. Pas kacavjerrjesh nëpër mediokritet dhe pa kthjelltësinë e një studiuesi, ishte thjesht i njëjti përkufizim: Futja kot se je në rregull! Dhe, në fakt, bash kështu qe. Një profesor tjetër mbushi kolonën editoriale të një gazete të madhe duke e quajtur librin skandaloz si një libër të jashtëzakonshëm, të cilin edhe studiues në Europë nuk e kanë bërë.

Një ministër, nga këta që ka larguar tani kryeministri Rama, iu përegjigj deputetëtve të opozitës që po e kritikon në kor duke iu thënë: “filluat lëvizjen çartiste, po flisni përçart”. 'Lëvizja çartiste' ka ndodhur në Anglinë e para dy shekujve dhe e merr emrin nga fjala 'chart', kartë, letër për shkak se punëtorët formuluan disa kërkesa në atë që u quajt 'Charter'. Kjo është më shumë se vulgare.

Kryeminstri Rama tha, jo për herë të parë, se Kanti është shprehur se njeriu e akuzon dikë për ato që i bën vetë. Me këtë Rama donte thoshte se akuzat ndaj tij bëhen ngaqë opozita i bën vetë ose i ka bërë vetë, dhe këtu përmendi Kantin. Kanti është nga filozofët më të mëdhenj të epistemologjisë, etikës, estetikës, politikës dhe nuk është marrë me fjalë të urta. Sigurisht, që kryeministri iu futi kot. Me këtë rast bën edhe si i ditur.

Një historian i vjetër, që në mënyrë socrealiste po e quajmë ikonë (kështu e quajnë socialistët), siç edhe i thonë shumë gazetarë, tha kohë më parë se “Shqipëria është çliruar më 29 nëntor, sepse unë isha dëshmitar.” Më e rëndë se kaq nuk mund të jetë. Historia u shkrua nga historiani, sipas asaj që ai ka parë. Po në rast se do i duhet të shkruajë se si u bë Çezari perandor, ky s’ka qenë dëshmitar aty.

Një deputet flet në televizion sikur të ishte në bisedën më të lirë dhe më pa interes të jetës së tij: “Vrasje që nuk zbardhen ka shumë, edhe në SHBA dhe kështu që unë mendoj se disa vrasje janë bërë me dorën e shtetit dhe nuk zbulohen.”

Kjo është një mënyrë e turpshme të foluri. Kjo bëhet nga njerëz që nuk dinë të vlerësojnë asgjë dhe nuk kanë asnjë aftësi veç asaj për të qenë mediokër. Duhet, detyrimisht, fillimisht universitetet dhe profesorët të mendohen më gjatë, me aq sa dinë e më pas edhe të tjerët të nisin të heqin dorë nga e folura kot. Njerëzit janë ajo që ata thonë dhe ajo ata që thonë është ajo që ata mendojnë.  Xhorxh Oruell thoshte se gjuha është e keqe sepse nuk ke mendim dhe nuk ke mendim sepse gjuha është e keqe. Nga ky degradim vjen çdo degradim tjetër në shoqëri.

Të fundit