Flash News
Shoferja humb kontrollin në aksin Devoll-Miras, dy të plagosur
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
nga Virgjil Muçi
- Mos i beso asnjë metode ose rryme letrare, kushdo që ta predikojë atë
(Metodat dhe predikuesit e tyre janë fryt i mendjeve diabolike diktatorësh që duan të kontrollojnë artin, duke e shndërruar në instrument propagande, si dhe të shterpëzojnë shpirtin krijues të artistit, duke e shndërruar atë në një kukull që e hedh vallen sipas dëshirës së atij që mban në dorë e luan fijet e dukshme ose të padukshme.)
- Mos e vër artin tënd në shërbim të një ideologjie, të një partie ose të një programi politik sado fisnik ose human të shëmbëllejë
(Ideologjitë, partitë politike dhe programet e tyre i shërbejnë vetëm një qëllimi dhe vetëm një: si e si të ngjiten në pushtet. Qysh nga ky çast ato janë pjesë e mekanizmit vrasës të lirisë e të frymës krijuese, çka bie ndesh me frymën dhe aktin që ngjiz veprën e shkrimtarit, e cila është shprehje e lirisë së individit dhe e rebelimit të tij ndaj çdo forme ose shprehje pushteti, në emër të kujtdoqoftë që ai ushtrohet.)
- Mos imito askënd, sidomos atëherë kur bëhet fjalë për një shkrimtar ose poet të shquar, sado që ai me veprën e vet të ketë lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe në zemrën tënde
(Nuk ka shkrimtar që në të ritë e vet të mos e ketë ngjyer qoftë edhe një herë të vetme penën në talentin dhe mjeshtërinë e dikujt tjetër, ndonjë prej paraardhësve të tij të famshëm, vepra e të cilit e ka frymëzuar; por, po ashtu, nuk ka shkrimtar që të mbahet mend kujtohet për këtë gjë, përkundrazi të gjithë në një mënyrë ose një tjetër e kanë mohuar pjellën e rinisë së hershme, ashtu siç mohohet, ose nuk njihet ligjërisht, një fëmijë nga një marrëdhënie jashtëmartesore.)
- Mos iu nënshtro diktatit të tregut ose të botuesit
(Shkrimtari duhet t’i nënshtrohet vetëm artit të tij dhe instinktit prej artisti. Tregu dhe botuesi, si instrument i tregut, janë diçka që s’kanë të bëjnë me artin, por vetëm me logjikën e shit-blerjes, me një fjalë të fitimit.)
- Mos iu beso profetëve
(Bëhu profet i vetvetes.)
- Mos pretendo të shndërrohesh në profet
(Dysho kurdoherë për gjithçka e për gjithkënd. Mbi të gjitha dysho te vetvetja. Dysho më fort atëherë kur je më i sigurtë se asnjëherë tjetër.)
- Mos u josh nga sirenat e nacionalizmit dhe të të ashtuquajturit patriotizëm
(Shkrimtari është dhe duhet t’i mbetet besnik deri në shkronjën e fundit humanizmit. Atdheu i tij është liria dhe bashkatdhetar i tij është vetëm e vetëm homo sapiens, pavarësisht racës, gjinisë, etnisë e gjithçkaje tjetër që është shpikur për t’i dalluar qeniet njerëzore nga njëra-tjetra.)
- Mos hiq dorë nga pasioni dhe përkushtimi ndaj artit tënd, në asnjë çast dhe për asnjë arsye, madje edhe atëherë kur të duket sikur e gjithë bota është kundër teje
(Vetëm me devocionin me të cilin një besimtar i përdëllehet deri në amëshim Zotit të tij mund t’ia dalësh mbanë dhe të realizosh atë që dikur ka pasë qenë thjesht një ëndërr efemere për ty. Të bëhesh shkrimtar me plot kuptimin e fjalës.)
9. Mos u tremb nga dështimet
(Dështimi të bën të fortë, të mëson të gjesh rrugën e duhur dhe të udhëheq drejt suksesit. Mjerë ata që i gëzohen suksesit të shpejtë.)
10. Mos hiq dorë për asnjë çast së qeni kureshtar
(Vetëm kështu do të dish të eksplorosh botën; shpirtin njerëzor. Kureshtja nuk është pikëmbërritja, por pikënisja e çdo arritjeje të qenies njerëzore).