Flash News

OP-ED

Dekorata për Mejdanin si ‘foto normaliteti’… pa Ramën

Dekorata për Mejdanin si ‘foto normaliteti’… pa

Alfred Lela

Presidenti i Republikës ka nderuar para pak ditësh me Medaljen e Flamurit Kombëtar një prej pararendësve në detyrë, Rexhep Mejdanin. Duke e përputhur me datlindjen e ish-Presidentit, Meta ka shndërruar në njëfarë feste të ngushtë politiko-familjare një ditë të nxehtë gushti, përndryshe pa lajme dhe të papritura.

Reagimet kanë qenë të pakta ose të mekura, kjo edhe për faktin se Rexhep Mejdani është parë vazhdimisht si një personazh politik ‘senatorial’, më afër paqes se luftës. Ndoshta edhe më afër akademisë se politikës. Me edukimin e një matematikani, ai u bë President në një periudhë post traumatike, zhvillimeve tragjike të vitit 1997.

Përveç një reagimi ironik të Astrit Patozit, një gazetari të opozitës kur Mejdani ishte President, mund të thuhet se heshtja ishte konsensusi për nderimin që një kryetar shteti i bënte parardhësit. Fotoja, apo më saktë imazhet e dala nga ceremonia, megjithatë, flasin përtej heshtjes dhe limontisë së një gushti mbushur me pushime të ndërprera nga kronika e përditshme e infeksioneve dhe vdekjeve të pandemisë, dhe asgjë tjetër.

Ajo që këto imazhe nuk thonë, por nënkuptojnë, është mesazhi që kuratori apo autori i tyre, Ilir Meta, ka dashur të japë. Eventi i zhvilluar në një nga kopshtet e Presidencës, më shumë se me medaljen dhe përkujdesin, shkëlqeu me pranitë, por po aq me mungesat. Thënë shkurt, qenë aty të gjithë who’s who të politikës shqiptarë të tranzicionit. Kush të dojë le ta konsiderojë rastësi.

Sali Berisha, Presidenti i parë dhe Bujar Nishani i fundit, para Metës, ishin aty. Po ashtu edhe Bamir Topi, një ish i ndërmjetëm në Presidencë. Në radhë të parë edhe Pandeli Majko, i cili bashkë me Metën dhe Mejdanin, përbënte në ato kohë të trazuara të Shqipërisë, triumviratin socialist që luftonte për majat e pushtetit në parti dhe në vend, dhe në të njëjtën kohë kundër Berishës, President dhe më pas kryetar i Opozitës.

Të munguarit e mëdhenj ishin kryeministri Edi Rama dhe ish-kryetari socialist Fatos Nano. Nëse i dyti mund të quhet ‘i zëvendësuar’ nga prania e gjithë skakierës së epokës së vet, mungesa e shefit aktual të qeverisë formulon bash kontrastin që Ilir Meta duhet të ketë patur ndërmend. Në një foto të normalitetit, me personazhe nga kohë shumë më anormale se jona, mungon anormali.

Kjo ‘foto e normalitetit’, që përfshinte tri dekada politike të Shqipërisë, sfumonte edhe kinse vajtimin e Ramës se politikanët e Tiranës mblidhen vetëm nga të huajt dhe flasin në gjuhë të tjera për hallet e Shqipërisë. Veç tij, ja ku ishin të gjithë, të mirë e të këqinj bashkë, të mbledhur për të nderuar një politikan veteran që respektohet nga socialistët, por nuk honepset prej Ramës dhe prej ‘rilindasve’ në krye të PS.

Ilir Meta e shndërroi, për rreth një orë, në kopësht paqeje cirkun politik të Tiranës. Që nga takimet e marsit ‘97 nuk kishim parë kaq shumë personazhe politike në një vend. Edhe pse të mbledhur për tjetër gjë, jo për ‘marrëveshjen post Komitete shpëtimi’, tubimi kishte ajrin e një paqeje dhe normaleje të harruar.

Të fundit