Flash News

KRYESORE

Deli, 24-vjeçarja që braktisi gazetarinë për punën në kroçere

Deli, 24-vjeçarja që braktisi gazetarinë për punën

Për të udhëtuar një herë me kroçerë luksi, duhet të kesh kursyer gjithë vitin ose disa vite rresht (sigurisht nëse pushimet nuk janë të sponsorizuara). Por i gjithë ky “mund” shpërblehet, pasi brenda kroçerës një armatë punonjësish janë në një tension të jashtëzakonshëm që gjithçka të funksionojë perfekt. Përshtypjet e turistëve janë thuajse të njëjta: fantastike! Por çfarë ndodh me punonjësit e një kroçere? Si përzgjidhen ata? Në ç’kushte punojnë? Delinda Muçollari është vetëm 24 vjeç. Ajo ka mbaruar shkollën për gazetari. Ka punuar jo pak kohë në media, e në ato prestigjozet.  Deli është ndër të paktat shqiptare që punon në një kroçere luksi. Deli  tregon për Urbanus, në intervisten me Denisa Canametin se pse e mori vendimin për tu larguar nga media për t’u arratisur drejt detit dhe se si funksionon kjo punë.

Deli, si është të punosh në një kroçerë? Si është të arratisesh çdo ditë nga një destinacion në një tjetër, përmes detit?

E imja është një punë shumë dimensionale, që të mban alert 24/7. Patjetër intensive e me një standard kërkesash shumë të larta. Por unë nuk do ta quaja thjesht ‘punë’, në kroçerë ti jeton përditshmërinë tënde krejtësisht të rikonceptuar, të duhet të ndryshosh regjimin me të cilin ishe mësuar në jetën e zakonshme në ‘tokë’ dhe të përshtatesh me një seri rregullash, detyrash dhe angazhimesh pafund. Personalisht jam pjesë e rrjetit të dyqaneve “Msc Boutiques” por si çdokush tjetër që punon në kroçerë, nuk jam e pavarur nga departamentet e tjera, por funksionoj si hallkë e një zinxhiri të mirëorganizuar. Është një lloj jete që të kërkon energji të pashtershme sepse gjatë gjithë kohës je në kontakt me njerëz me të cilët duhet të jesh maksimalisht profesional. Nuk kanë qenë të pakët ata që kanë rezistuar vetëm një apo dy javë dhe janë larguar, sepse sasia e stresit mund edhe të jetë e papërballueshme nëqoftëse nuk ke durimin dhe qetësinë e duhur për të ndjekur rrjedhën e funksionimit të një institucioni të tillë të mbyllur, si kroçera. Ajo që pasagjerët shohin kur vijnë të kalojnë pushimet është vetëm maja e ajsbergut, sepse në gjysmën e anijes që ata nuk mund ta vizitojnë punojnë me qindra njerëz si një makineri e pandalshme.

Të vizitosh gjithë këto vende njëri pas tjetrit është pjesa më emocionuese e motivuese që të mban në kroçerë. Çdo mëngjes të gjen në tjetër port, ti vazhdon punën normalisht dhe është ky ishull i vogël lundrues që udhëton për ty. Unë asnjëherë nuk i kam pëlqyer udhëtimet e gjata me makinë sepse janë shumë të lodhshme, ndërsa në kroçerë ti harron se je në lëvizje nëse nuk ke një dritare afër nëpërmjet së cilës të shohësh oqeanin. Vetëm në ato ditë kur moti nuk është aq miqësor, ky rrugëtim vështirësohet pak dhe ti pendohesh pse nuk i mbajte këmbët në tokë.

Është një punë e zakonshme, pra që gjithkush mund të aplikojë? Apo ka ndonjë formë specifike të rekrutimit të stafit (zgjedhjes së stafit)?

Gjithkush që ka motivimin e duhur mund të aplikojë. Filtrat do të bëjnë të vetën dhe ata që vërtet e gjejnë veten duke punuar rreth botës herët apo vonë do i realizojnë qëllimet e tyre, ashtu sikurse unë jam tejet e lumtur që e ndërmora këtë sfidë me veten dhe megjithë pengesat që dalin, dobësitë e mia, malli, shtëpia, familja, miqtë etj, ëndrratl ime për të parë gjithë dimensionet e kësaj bote, më motivon për të mos u ndalur.

Në Shqipëri ekziston vetëm një agjensi përmes së cilës çdokush mund të kërkojë një shans punësimi, Kouzon, e cila ka qenë përkrahje e madhe për mua deri më sot dhe u ka mundësuar kaq shumë të rinjve të nisin rrugëtimin e tyre. Esenciale janë gjuhët e huaja dhe aftësitë komunikuese, duke qenë se pozicionet e punës janë pjesë e fushës së shërbimit, costumer service, si recepsion, entertainer, artist, hostess , fotograf, shitës, casino dealers etj.

Të fundit