Flash News

OP-ED

Demokracia si karikaturë e vetvetes

Demokracia si karikaturë e vetvetes

nga Virgjil Muçi

Sot e gjithë ditën jemi të gjithë dëshmitarë të diskutimeve nga më të esëlltat deri tek ato më fantaziozet e të ndërkryerat se si e qysh do të jetë bota pas apokalipsit. Sa e si do të ndryshojë, cili do të jetë vendi ynë në të e kështu me radhë. Në një pikë ngjan të jemi në një mendje -  pjesa më e madhe të paktën – se qytetërimi ynë i të ashquajturit fshat global nuk do të jetë më ai që ka qenë, ndërkohë që se çfarë do të ndodhë konkretisht me të, kjo mbetet për t’u parë.

Ç’është e vërteta, as që më binte ndër mend t’i hyja më këmbë detit të hamendjeve, të ulesha e të shkruaja këto radhë sikur të mos më tërhiqte vëmendjen një foto nga Tel Avivi që bënte fjalë për një manifestim të rinjsh kundër Netanyahut në Kikar Rabin, një prej shesheve kryesorë të qytetit.“Një foto është e barabartë me njëmijë fjalë”, ka thënë dikush. Ashtu është, por as fotoja, as edhe një didaskali, sado elokuente poshtë saj nuk është në gjendje të përçojë si mendimi e fjalët, groteskun e atij imazhi: protestuesit të fiksuar në kuadratë të bardhë, rrinë pa lëvizur në një largësi prej dy metrash nga njëri-tjetri – kuadratët dhe distanca janë caktuar nga policia – teksa në duar mbajnë nga një pankartë dhe në fytyrë maskat e ofruara nga organizatorët e mitingut, një kusht ky i përcaktuar gjithashtu nga policia. Duke parë atë pamje imazhi që m’u ngjiz në kokë ishte ai i Spartakiadave të diktaturës në Shqipëri, kur të gjithë ne, nxënës e studentë, rrinim në kuadratet e përcaktuar dhe, me lëvizje robotike sipas komandës që vinte nga altoparlanti, ekzekutonim ushtrimet sipas një skenografie të miratuar.

Po përtej fantazmagorisë së komunizmit shqiptar, jam kureshtar të shoh sesi do të jetë nesër, pasnesër një tjetër miting proteste, le të themi i gilets jaunes në Paris, qoftë edhe një demonstrim ku e ku më paqësor si ai i ambientalistëve të rinj, diku në Londër, New York ose tjetërkund në botën e qytetëruar. Ma do mendja i papërfytyrueshëm!

Të fundit