Demokratët pritet të nisin procedurat për shkarkimin e Trump

Demokratët në Kongresin e SHBA pritet të fillojnë zyrtarisht procedurat për shkarkimin e presidentit Donald Trump. Nisma nisi pas një telefonate që Trump pati me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy,  ku dyshohet se ai i kërkoi homologut të hetonte rreth rivalit të tij politik Joe Biden.

“Tani i kemi faktet dhe jemi gati për sonte,” tha të martën Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

“Nuk është çështja nëse ka pasur ose jo një shkëmbim favoresh në bisedën e tij (telefonike me presidentin ukrainas. Nëse presidenti ngre çështjen se dëshiron që ata të hetojnë rivalin e tij politik, atëherë kuptohet që kjo nuk është e drejtë. Ne nuk u kërkojmë qeverive të huaja të na ndihmojnë në zgjedhjet tona”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve.

Zonja Pelosi tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë lidhur me ankesën e një informatori të inteligjencës që ka të bëjë me telefonatën .

Ish-nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, aktualisht kandidat për president, i bëri thirrje Presidentit Trump që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e Kongresit ose  rrezikon të largohet nga posti.

“Nëse vazhdon të shkelë ligjin, Donald Trump nuk t’i lërë alternativë tjetër Kongresit, sipas mendimit tim, përveçse që ky i fundit të nisë procedurat e shkarkimit,” tha zoti Biden.

Presidenti Trump konfirmoi sot se i kishte thënë stafit të tij që të pezullonte rreth 400 milion dollarë ndihmë për Ukrainën, pak ditë para telefonatës me udhëheqësin ukrainas.