Denoncimi i diplomatit: Vuçiç kërcënoi nga Moska me konflikte të reja. Heshtje nga Prishtina, Tirana dhe Brukseli

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka bërë një deklaratë të dyshimtë gjatë vizitës në Moskë, kur foli për mundësinë e konflikteve të reja me Kosovën.

Gjatë takimit me kryetaren e Këshillit Federal të Rusisë, Valentina Matviyenko, Vuçiç foli për mundësinë e zgjerimit të pjesëmarrësve në dialogun Beograd-Prishtinë, në rast të një konflikti.

“Kemi arritur disa marrëveshje, në rast se ka ndonjë konflikt, formati do të zgjerohet për t’i dhënë zgjidhje situatës”, u shpreh Vuçiç, pas garancisë që kishte marrë nga homologu Vladimir Putin për përfshirjen në bisedime.

Kjo deklaratë e Vuçiç ka kaluar në heshtje në Prishtinë, Tiranë dhe Bruksel, por diplomati Shaban Murati e konsideron element të rrezikshëm, pasi Serbia me mbështetjen e Rusisë është gatshme të provokojë konflikte në rajon.

“Ka një element të ri të rrezikshëm, që nxori kokën nga bisedimet e presidentit serb me presidentin rus. Duke parashikuar që as Kosova, as BE dhe as SHBA, nuk do të pranojnë përfshirjen e Rusisë në dialogun e Brukselit, Vuçiç kërcënoi në 19 dhjetor me shpërthim konflikti: “Në rast se do të ketë ndonjë konflikt, formati i bisedimeve do të zgjerohet me qëllim që të zgjidhin situatën”. Ky është një element apo sinjal tepër shqetësues, sepse dëshmon se Serbia me mbështetjen e Rusisë është e gatshme të provokojë edhe konflikt në Kosovë dhe në Ballkan, vetëm e vetëm që të krijohet një pretekst i futjes së Rusisë në tryezat vendimmarrëse për rajonin. Moska do të kishte interes për një konflikt të ri në rajon, sepse jo vetëm do të përfitonte zyrtarisht pjesëmarrjen në “grupin e shuarjes së zjarrit”, por edhe sepse do të arrinte bllokimin e procesit të integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit. Nuk është e rastit që pikërisht ditën që presidenti serb ishte në Kremlin në takimin me presidentin rus, Serbia doli në OKB me qëndrimin e përkrahjes për pushtimin rus të Krimesë. Serbia në 19 dhjetor ishte i vetmi shtet i Ballkanit, që u rreshtua me Rusinë dhe votoi kundër rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB, e cila e dënoi Rusinë si fuqi pushtuese dhe Krimenë e cilësoi territor të pushtuar”, shkruan Murati në ‘Gazetën Shqiptare’.

Rasti i fundit kur Aleksandar Vuçiç provokoi një konflikt që e riktheu Kosovën dhe Serbinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ishte përpjekja për të dërguar në Mitrovicë një tren ku shkruhej “Kosova është Serbi”. Ngjarja ndodhi në fillim të 2017-ës, kur Vuçiç kishte nisur fushatën jo-zyrtarisht për të marrë postin e presidentit. Treni ishte dhuratë në Rusia.

Aleksis Tsipras për herë të tretë brenda një viti në Beograd; Vuçiç i shtron darkë private