Denoncimi i akademikut Fuga për zgjedhjen e Gjinushit kryetar dhe revolta ndaj projektligjit për ASH

Akademiku i njohur Artan Fuga e kundërshtoi me forcë zgjedhjen e Skënder Gjinushit si kryetar të Akademisë së Shkencave. Ai paralajmëroi largimin e tij nga ky institucion nëse presidenti Ilir Meta do ta njihte Gjinushin si kreun e këtij institucioni. Dhe kjo sepse ka shkelje flagrante të ligjit.

“Nëse zgjedhjet në kryesinë e akademisë së shkencave njihen drejtpërdrejt ose tërthorazi si të ligjshme, brenda 24 orëve nga ai çast do të jap dorëheqjen nga akademia e shkencave duke mos pranuar të bashkëjetoj me paligjshmërinë, abuzimet dhe një institucion krejt të kalbur, monist dhe çerdhe privilegjesh!”, shkroi Fuga ndër të tjera në rrjetet sociale.

Sot presidenti Ilir Meta dekretoi refuzimin e emërimit të Skënder Gjinushit si kryetar i Akademisë së Shkencave kjo sepse procesi i zgjedhjes së tij u zhvillua me problematika të theksuara.

Fuga ka qenë kritik edhe për projektligjin për ASH të hartuar nga Ministria e Arsimit.

Në komisionin për Arsimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ai deklaroi se problemi me këtë institucion nis që me zgjedhjet me kryetarin e ri, që ai i cilësoi të pavlefshme.

Fuga tha për nenet e projektligjit tha se bien në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Lartë. Ai shtoi se në Akademinë e Shkencave kanë ndodhur abuzime me fondet publike dhe ai i kërkoi parlamentit që të hetojë se çfarë kanë ndodhur me fondet publike.

“Një projektligj këllirë, që më bën të vjell, dhe që e kthen akademinë e shkencave më keq sesa është, në një klub pensionistësh që vijnë të tundin derën dhe u ngatërrohen nëpër këmbë atyre që duan të punojnë! Një dështim i paparë!”, deklaroi akademiku.