Flash News

KRYESORE

Depozitat e ujit rrezikojnë shëndetin dhe jetën e banorëve, cilësia e ujit le shumë për të dëshiruar…

Depozitat e ujit rrezikojnë shëndetin dhe jetën e banorëve,

“Tirana, pas katër vjetësh do ketë ujë të pijshëm, dhe 24 orë”, -premtoi Veliaj, para dhe pas rritjes së çmimit të ujit. Një premtim që ka shumë pak gjasa që të mbahet, pasi ka gjithmonë një arsye për t’u justifikuar “pse nuk eci puna”. Sot vetëm 10 përqind e Tiranës furnizohet me ujë 24 ore, 90 përqind e saj mban depozita për të patur ujë pa ndërprerje. Ndonëse qytetarët blejnë ujë për të pirë, për të larë frutat, perimet, apo qoftë dhe për duart përdoret uji që vjen nga këto depozita, të cilat nuk pastrohen apo dezinfektohen sipas protokollit. Kanë mbi 15 – 20 vjet pa u pastruar. Edhe depozitat e reja të vendosura poshtë pallateve këto 10 vjetët e fundit, shumë pak prej tyre kanë pasur ndërhyrje në pastrim e kontrolle higjenike apo analiza.

“Është një rrezik shumë i lartë që qytetarët e Tiranës e kanë. Depozitat krijojnë një shtresë, bazament të fortë për ndotje, qoftë ndotje bakteriale, qoftë ndotje të tjera. Ndryshon cilësinë e ujit dhe pasojat i ka shëndeti. Shkakton sëmundje si bark, diarre, por edhe sëmundje të tjera të rrezikshme”, thotë Dritan Ulqinaku, drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Tiranë. 

Drejtoria e Shëndetit Publik u bën thirrje të gjithë administratorëve të pallateve të bëjnë pastrimin e depozitave të paktën një herë në vit si dhe t’i certifikojnë ato. Nisur nga ajo që pa, Ademi tregon sesi banorët u bindën dhe për të kontribuar.

“Banorët në momentin që e panë që kishin probleme depozitat, megjithëse është shumë e vështirë t’i bindësh, u bindën plotësisht dhe u treguan të gatshëm dhe kontribuan për të ndërtuar depon e ujit”, thotë një administrator pallati, Adem Cemurati.

 

Të fundit