Deputeti Maliqi: BE ndërhyri te gazeta Bild për përgjimet

Deputeti i opozitës së re, Lefter Maliqi pretendon se përgjimet e Bild janë ndaluar pas ndërhyrjes së disa përfaqësuesve të Bashkimit Europian te gazeta gjermane. Argumenti që jep Maliqi është se përgjimet kishin përmbajtje eksplicite dhe është vendosur që për të mirën e shqiptarëve të mos publikohen më shumë.

“Pranvera e ardhshme do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale, do të ketë ndërhyrje të ndërkombëtarëve, është ndërhyrë në BE që të ndalohet publikimi i tyre nga ana e BILD. Kam dijeni se do të ishte në të mirën e shqiptarëve që këto përgjime të mos publikoheshin. Duhet të largohen të gjithë ata politikanë që nuk kanë mbështetje nga ana e qytetarëve, unë jam për të vendosur listat e hapura, me 100 zona”, sqaroi  Maliqi në një intervistë për televizionin “Fax News”.

Ekzistëncën e disa materialeve kompromentuese e ka pranuar vetë gazetari Peter Tiede më 6 qershori në një intervistë në emisionin ‘Opinion’. Gjermani u shpreh se përveç dosjes së “Tahirit”, disponon edhe tabulate të tjera telefonike të dosjeve “339” dhe “184”, ku përfshihen zyrtarë dhe zyrtare të larta socialiste.

“Ju e njihni rastin e Saimir Tahirit apo të policëve nga Vlora, të cilët duhet të arratiseshin në Zvicër. Mund të marrim edhe rastin e policëve të tjerë që kanë ikur në Holandë apo të drejtorëve të klinikave spitalore të cilët kanë qenë të detyruar që të japin (lëshojnë) raporte mjekësore për kriminelët, me qëllim që këta bosë të drogës apo të mafias të dalin nga burgu”, deklaronte Tiede.