Deputetja italiane kërkesë qeverisë: Shqipëria në krizë, Rama lidhje me lordët e drogës

Deputetja italiane Erica Mazzetti i ka kërkuar qeverisë italiane që të merret dhe të ndihmojë në zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Sipas anëtares së partisë Forza Italia, në Shqipëri ka shumë italianë, kështu që ekzekutivi në vendin fqinj duhet që të mendojë edhe për mirëqenien e tyre.

Sipas Mazzetti-t, lajmet që vijnë nga përtej Adriatikut nuk mund të konsiderohen si diçka e largët për italianët. Ajo tregoi për vendimin e Partisë Demokratike për të djegur mandatet e dalë nga parlamenti, të shtyrë nga lidhjet e kryeministrit Edi Rama me bosët e drogës në vend. Mazzetti kujtoi se droga nga Shqipëria vinte në Itali.

“Shqipëria është në mes te një krize të thellë institucionale, siç raportohet edhe nga të gjitha mediet. Kryeministri Edi Rama po kërkon te shkarkojë presidentin Meta, menjëherë sapo ky i fundit mori vendimin për të anuluar datën e zgjedhjeve lokale, te cilat ishin në prag. Ai e përkufizoi vendimin e presidentit si një vetëvrasje. Më herët, lideri i opozitës, Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike (anëtare e PPE), hoqi dorë nga mandati i deputetit, së bashku me të gjithë kolegët e partisë së tij, duke theksuar lidhjet e vazhdueshme ndër vite mes Ramës dhe lordëve të drogës, që eksportojnë pandërprerë drogë drejt Italisë. Basha e cilësoi në media kërcënimin e Ramës për shkarkimin e presidentit si një blof.

Tensioni në Shqipëri ka prekur majat. Kujtoj se janë të shumtë italianët që kanë kapërcyer Adriatikun dhe kane themeluar atje sipërmarrjet e tyre. Pra, është urgjente reagimi i qeverisë italiane, ne mbrojtje të qytetarëve tanë atje. Lajmet politike që vijnë nga Shqipëria nuk mund të konsiderohen një kronikë e largët për ne. T’i kthejmë shpinën këtij realiteti do te ishte një sinjal i dobësisë së politikës tonë të jashtme. Nga Shqipëria po na vjen një kërkesë e thekshme për ligjshmëri. Italia duhet t’u përgjigjet gjithmonë “këtu” këtyre kërkesave për ndihmë.”, ishte qëndrimi i deputetes së Forza Italia-s në profilin e saj në Facebook.