Derbi pati probleme, Komisioni i Disiplinës gjobit Tiranën dhe Partizanin

Derbi i kryeqytetit në Air Albania pati disa probleme të dukshme në shkallët e stadiumit. Kështu, Tirana dhe Partizani janë dënuar me gjoba.

Klubi bardheblu ka marrë gjobë 500 mijë lekë, ndërsa Partizani 300 mijë lekë. Gjithashtu, të dy klubet do të dëmshpërblejnë dëmet e shkaktuara. Gjobë, ndërkohë, ka marrë dhe Teuta, plot 100 mijë lekë, ndërsa Egnatias i është pezulluar dënimi me pjesën e mbetur.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës:

– KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Neneve 65/1, 65/3/c) të KDS dhe Nenit 116 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dënohet me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) Lekë.

KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në sektorin përkatës të stadiumit “Air Albania Stadium” sipas akt konstatimit të Qendrës Sportive Kuq e Zi, brenda 15 ditëve.

– FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Neneve 65/2, 65/3c) të KDS dhe Nenit 116 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) Lekë.

FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në sektorin përkatës të stadiumit “Air Albania Stadium” sipas akt konstatimit të Qendrës Sportive Kuq e Zi, brenda 15 ditëve.

– KF Teuta, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Neneve 65/1/ dhe 65/3/c) të KDS dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lekë.

– Pranimin e kërkesës së FK Egnatia, pezullimin e zbatimit të pjesës së mbetur të dënimit.