Dëshmia në polici e autorit të krimit tronditës në pazarin e Korçës

Shkaku i vrasjes makabre në ditën e sotme në pazarin Korçës kanë qenë mosmarrëveshjet për një varr. Autori i krimit, Zamir Topi u arrestua nga forcat e policisë pak minuta më pas, pasi ai qëlloi me sopat viktimën, Dashnor Osmanin.

Gjatë marrjes në pyetje ai tha se me viktimën ishin nga i njëjti fshat, Porcesta e Korçës dhe se prej kohësh kishin mosmarrëveshje. Topi tha se i kishte kërkuar prej disa kohësh Osmanit që të hiqte eshtrat e nënës së tij që i kishte vendosur sipas autorit të vrasjes në varrin e nënës së këtij të fundit.

Kjo gjë e mundonte shumë autorin, i cili ditën e djeshme e paralajmëroi viktimën. Por Osmani iu përgjigj se këtë gjë do ta bënte vetëm kur të vdiste.

“Sot shkova bleva një sëpatë 5 mijë lekë me paratë e fundit që kisha në xhep dhe e godita. Do Zoti nuk vdes se nuk dua të bëj një krim”, u tha ai agjentëve të policisë, raporton Abc news.

Ngjarja e rëndë ka tronditur qytetarët e Korçës. Viktima u godit ndërsa ishte me gruan dhe vajzën e tij. Kjo e fundit ndërhyri dhe arriti që ta largonte autorin i cili megjithatë e goditi 10 herë. Viktima ishte në treg duke shitur banane, si çdo ditë.