Flash News

OP-ED

Dështimi i Samitit të BE-së për buxhetin-fytyra e Europës së ndarë

Dështimi i Samitit të BE-së për buxhetin-fytyra e

Mario Stefanov/ Gjeopolitika

Mosarritja e miratimit të buxhetit të Bashkimit Europian në takimin e jashtëzakonshëm të shefave të vendeve anëtare në Bruksel për periudhën 2021-2027 për shkak të konfliktit të antarëve të tij që investojnë më shumë në buxhetin europian sesa vjelin prej tij, me antarët që investojnë më pak në të sesa marrin, është tregues i një prej ndarjeve kryesore të Bashkimit Europian të sotëm.

Kjo është ndarja e thellë jo vetëm në antarët “e pasur“ dhe “të varfër“ të BE-së, por, kulmi i saj është, mes atyre antarëve që mbajnë financa të rregullta dhe atyre, sistemet ekonomike të të cilëve janë buzë kolapsit. Është ndarje mes antarëve të vjetër dhe të rinj të BE-së, në Perëndim dhe në Lindje të Europës. Shtetet më të fuqishme europiane, të udhëhequra nga Gjermania, të cilët unitetin e deritanishëm e kanë themeluar në një masë të madhe në bashkëpunimin ekonomik mes tyre, dhe, në mënyrë të papeshuar mirë, në ekspansionin drejt Lindjes me qëllim projeksionin e interesave vetjake gjeo-ekonomike dhe gjeo-politike, pranuan në strukturën e BE-së një pjesë të shteteve të Europës Lindore, dikur anëtarë të bllokut sovjetik, tërësisht mbi kritere gjeopolitike, duke anashkaluar plotësisht ato ekonomike.

Ndarja në antarë të ashtuquajtur “neto pagues“ dhe anëtarë “neto marrës“ të mjeteve nga buxheti, këta të dytët të organizuar në klubin politik me emërtimin absurd „Miqtë e kohezionit“, që do të thotë të së ashtuquajturës politikë kohezive të BE-së, mbi bazën e së cilës, nga buxheti i përbashkët derdhen mjete financiare drejt antarëve të zhvilluar më dobët, gjë që, e përkthyer në gjuhën normale, është ndarë në ata që fitojnë dhe krijojnë vlera të reja dhe ata që antarsimin e tyre në BE e kanë vetëm në sajë të pozitës së tyre gjeo-politike.

Në një situatë tërësisht specifike në këtë është Republika e Kroacisë, e cila në antarsimin në BE është pranuar mbi bazën e, kjo mund të thuhet lirshëm, kritereve brutale të bazuar në plotësimin e të gjithë kushteve të nevojshme dhe për këtë, në situatën e tanishme është i vetmi që ka të drejtë. Kroacia nuk është pranuar sipas asnjë kriteri të jashtëzakonshëm dhe deri tani nuk ka patur rastin të shfrytëzojë mjetet e politikës së kohezionit për një periudhë të gjatë, përveç një cikli buxhetor. Kësisoj, kërkesat e saj në bisedime janë plotësisht të argumentuara ndërsa dialoguesit kroatë në fakt bëjnë gjithçka që është e mundur në shpërndarjen aktuale të forcave në procesin e miratimit të buxhetit të ri dhe ruajtjes së interesave kroate.

Gjithçka tjetër gjatë këtij procesi është thjesht luftë për paratë, mes të fuqishmëve dhe të pasurve nga njëra anë dhe atyre që kërkojnë para në anën tjetër. Shtetet neto pagues, pas të cilëve nuk ka dyshim qëndron Gjermania, megjithëse ajo nuk u ekspozua gjatë diskutimeve, shkurtimin e buxhetit të ardhshëm për shkak të largimit nga antarësimi në BE i Mbretërisë së bashkuar e cila është e dukshme, tani po shihet qartë, se ka qenë një „neto pagues“ i rëndësishëm, kanë prioritete krejt tjera nga shtetet e zhvilluara dobët të Jugut dhe Lindjes së Europës. Antarët e fuqishëm janë ata që udhëheqin transformimin e BE-së në fuqi globale dhe për këtë nuk dëshirojnë të zvoglojnë mjetet për zhvillimin e fuqisë ushtarake europiane dhe të „politikës së re europiane“, të koduar në doktrinën „Neë green deal“, ndërsa kursimet i kërkojnë në anën e fondeve të kohezionit. Ata që marrin para nga buxheti, e kundërshtojnë këtë që ç’ke me të, por, nga ana tjetër, as që u shkon ndërmend të heqin dorë edhe nga projektet ushtarake për të cilët janë marrë vesh me politikën amerikane pa kurrfarë marrëveshje me anëtarët e tjerë të BE-së, nga të cilët të bie në sy furnizimi me avionë të rinj luftarakë F-35 dhe sisteme antiajrore 'Patriot' amerikanë me çmime përrallore. Në ndryshim nga Gjermania që është “neto paguese“, disa “neto përfitues“ të veçantë përmbushin rregullisht kërkesat e NATO-s për ndarjen e 2% të PPB për nevoja të mbrojtjes.

Njëfarë marrëveshje në fund të fundit edhe do të arrihet në lidhje me buxhetin afatgjatë të BE-së, por ndasitë nuk kanë për t’u zhdukur, por vetëm se do të thellohen. Me të drejtë mund të shtrohet pyetja, cilat na qenkan këto “vlerat europiane“ që medemek na i mblidhkan shtetet brenda Bashkimit Europian. Sipas asaj që shohim del qartë se bëhet fjalë vetëm për para dhe një pjesë e mirë e antarëve të rinj të BE-së nga Europa Lindore janë në këtë inegrim kryesisht për shkak të transferave ekzistuese financiare. Vështirë të largosh përshtypjen se, nëse këto mjete një ditë do të thahen, atëherë një pjesë e të ashtuquajturave “neto përfituese“ do të marrin pjesë aktivisht në integrimin europian.

Shumë shpejt do të jetë e mundur të vendoset kufiri i ndarjeve të reja të Europës, për shkakun e thjeshtë se qendra europiane, e grumbulluar përreth antarëve më të fuqishëm do të vazhdojë edhe më tej të thithë sovranitet nga anëtarët e rinj dhe më të dobët, dhe ajo që deri tani arrin t’i mbulojë nëpërmjet transfertave financiare dhe investimeve në të ashtuquajturit fonde të kohezionit, ose përkthyer në gjuhë normale, në ofrimin e ndihmës ekonomike për shtetet jashtë qendrave të fuqisë së BE-së.

Europa gjendet në një situatë skizofrenike në të cilën BE-ja me potencialin e një fuqie globale të udhëhequr nga Gjermania, nuk mundet, ose nuk guxon, për shkak të shpërndarjes së fuqive botërore, të bëhet fuqi globale. Synon bashkimin në strukturën e saj të brendshme, në mënyrë që, ndërmjet tjerash, edhe të jetë në gjendje të zhvilloje aftësitë e saj të veprimtarisë globale, por këtë nuk mundet për shkak të rezistencës së anëtarëve që me të drejtë nuk duan ta dorëzojnë sovranitetin e tyre në duart e një unioni mbinacional të udhëhequr nga Berlini. Shtërngimi dhe ngushtimi integracionist, shkakton rezistencën e anëtarëve të dobët që ndjehen të kërcënuar. Kështu ka lindur situata ku brenda BE-së në mënyrë paralele forcohen forcat qendërikëse dhe qendërsynuese, gjë që në mënyrë të paevitueshme do të shpjerë në një kolaps të tërë sistemit, nëse vazhdon një drejtim  i tillë i ngjarjeve politike në Europë. Kundërshtitë e brendshme rriten  çdo ditë në përpjestim të drejtë në këtë, në thelb bashkësi jo të natyrshme, e cila për shkak të interesave gjeopolitike të shteteve anëtare dëshiron ndikim global dhe për këtë qëllim përpiqet të ndërtojë elementë të shtetësisë duke thithur pjesë pas pjese nga një pjesë të sovranitetit të shteteve anëtare.

Europa është mes potencialeve të saj dhe kufizimeve të vetë asaj, dhe e rrethuar nga fuqi konkurrente globale, nga njëra anë SHBA-të, ndërsa nga ana tjetër Kina. Është duke u trasuar edhe përballja e saj me Rusinë në kufijtë e saj lindorë, megjithëse interesi i saj themeltar gjeopolitik dhe gjeoekonomik do të ishte lidhja brenda Eurazisë, mjedisi tokësor ose sipas Meckinderit “Heartlandi“. Në mënyrë që të merrte pjesë në mënyrë të sukseshme në arenën globale do të duhej të bashkohej politikisht, por nuk mundet.

Ndarjet e brendshme janë gjithnjë e më të fuqishme. Diplomati dhe analisti politik francez Makism Tandoné në muajin  shkurt të vitit 2009 tha: „Europa me 500 milionë banorë, e bashkuar nëpërmjet një historie dhe trashëgimie kulturore të përbashkët, ka disa dhjetëvjeçarë që përjeton krizë, rënia e saj demografike, teknologjike dhe shkencore është jashtëzakonisht e thellë dhe afatgjatë... e kryqëzuar mes Gjermanisë ekonomikisht të fortë dhe shteteve jugore me ekonomi të asgjësuar. Proceset dhe ndasitë në këtë moment janë në kulmin e tyre, përfshirë edhe Brexit-in, konflikti franko-italian dhe rritja e lëvizjeve antisemite“. Tandoné konkludon se në Europë dhe në Bashkimin Europian përsëri ka filluar lufta ideologjike, sepse nuk po komunikon me realitetin, gjë e cila, sipas tij, do të jetë shkatërruese për Europën. Ai paralajmëron: “Kundërshtarët e BE-së nga njëra anë dhe pasuesit e saj nga ana tjetër, që satonizojnë të parët, marrin pjesë në luftën ideologjike që është plotësisht e shkëputur nga realiteti”.

Gjeopolitikani amerikan dhe themelues i agjensisë private informative Stratfor, Xhorxh Fridman shprehet në të njëjtën mënyrë si edhe Tandoné për think-tankun Geopolitikal Futures. Ai thotë: “Që nga fillimi i projektit europian e më pas qeveritë europiane ishin të gatshme për t’i lëshuar sovranitetin institucioneve paneuropiane. BE-ja nuk është një shtet multinacional. Megjithatë, Parlamenti Europian pasqyron idenë e Europës si një identitet politik i vetëm. Pjesa tjetër e shteteve anëtare pasqyron faktin se shtetet e bashkuara kombëtare janë mbledhur në një organizatë të përbashkët dhe se qeveritë e zgjedhura të këtyre shteteve kombëtare kanë në dorë pushtetin mbi vetë BE-në, kësisoj edhe në zonën e sovranitetit kombëtar”. Fridmani shpjegon se burokracia europiane ka këmbëngëlur me forcë në centralizimin e BE-së dhe se brenda BE-së është kryer një rishpërndarje e pasurisë në favor të të fuqishmëve dhe në dëm të të dobtëve, nëpërmjet imponimit të parimeve të efektivitetit ekonomik duke zbatuar të ashtuquajturat masa të kursimit, të cilat, në të vërtetë, sollën rritje por nxorën në dritë edhe çmimin e madh që duhet paguar. Kjo ka përshkallëzuar të ashtuquajturën krizë greke dhe ka shkaktuar ndasi të vazhdueshme mes anëtarëve të zhvilluar dhe të fuqishëm të BE-së me në krye Gjermaninë dhe shteteve jugorë me ekonomi problematike. Vetëm i verbëri nuk mund ta shohë se është fjala pikërisht për rishpërndarje të pasurisë dhe kalimin e saj nga të dobëtit te të fuqishmit, dhe sipas Freidmanit është krijuar bindja se “adresimi i përshpirtshëm te vlerat europiane nga qendra e BE-së është vetëm mbulesë për interesat e elitës europiane”. Më tej ai shpjegon se kanë ndodhur ndasi të mëtejshme edhe për shkak të çështjeve të emigracionit ose, më saktë, futja në treg e forcave të reja punëtore nga territori i Afrikës Veriore dhe Lindjes së Afërme dhe për këtë pyetja e shtruar nëse munden parimet e BE-së të detyrojnë vërtetë shtetet anëtare për pranimin e emigrantëve dhe për më tepër, jo në ato shtete që i kanë ftuar, por te anëtarët e tjerë të BE-së. Me këtë është inicuar çështja themeltare e kufijve të fuqisë së BE-së dhe sovranitetit të shteteve anëtare. Fridmani nënvizon: “Gjatë dhjetë viteve të kaluara qendra e Bashkimit Europian është përballur me referendumin britanik mbi braktisjen e BE-së, krizën greke, zgjedhjet në Poloni dhe në Hungari që kanë ndjekur dëshirat e zgjedhësve të tyre dhe jo atë të BE-së, dhe çështjen e Italisë, e cila i është kundërvënë përpjekjeve të BE-së për të imponuar zgjidhje për krizën financiare”.

“Natyrisht, qendra ka organizuar demonizimin e të gjithë këtyre forcave qendërikëse”- thotë Fridmani dhe vazhdon duke shpejguar sesi zgjerimi i lëvizjes së atyre që janë shenjuar si populistë ka qenë i pritshëm dhe natyror. Ata kanë qenë për kthimin në atë që Europa ka qënë gjithmonë dhe që kurrë nuk e ka braktisur edhe përkundër të gjitha përpjekjeve të Bashkimit Europian. Shfaqjet e sovranitetit kombëtar janë forcuar përsëri, duke kërkuar që BE-ja të trajtohet si marrëveshje dhe jo si shtet mbikombëtar, që mund të caktojë se kush mund të banojë në territoret e tyre, kundër vendimeve të shteteve kombëtare. Ai konkludon: “BE-ja është krijuar në mënyrë që të harmonizonte këto raporte, por është e qartë se e ka humbur kontrollin mbi situatën, gjë që përherë u ka ndodhur atyre që kanë besuar se kanë të drejtë të qeverisin dhe nuk kanë qenë në gjendje të pranojnë idenë se një gjë e tillë ka disa kufij... Është fakt se zgjedhjet për Parlamentin Europian treguan se forcat e qendrës po humbasin dalngadalë kontrollin mbi sistemin politik. Vendimet për një gjë të tillë tashmë nuk mund të jepen në Parlamentin Europian, por në parlamentet kombëtare që janë përfaqësuesit direktë të qytetarëve të tyre. Mendoj se edhe një krizë tjetër ekonomike, ose përpjekje e BE-së për të imponuar sjellje që mund të jenë të kundërta me integrimin, mund ta thyejë strukturën e brishtë të BE-së”.

Në artikullin e tij për Geopolitical Futures të datës 28 janar të këtij viti, Xhorxh Fridmani, vazhdon më tej me gjykimet e tij më të hershme që është vërtetuar se kanë qenë të sakta, dhe nënvizon: “Tensionet brenda BE-së nuk pasqyrojnë mosmarrëveshje margjinale, ato përbëjnë probleme themelore rreth asaj nëse interesat dhe identitetet kombëtare mund të pajtohen me interesat europiane të përcaktuar keq. Për këtë BE-ja, ka të bëjë me një krizë ekzistenciale. Mund të mbijetojë, por vetëm si koalicion kombesh”.

Artikulli konkludon me fjalët “Pyetja themelore është: çfarë është identiteti europian? Është përhapur supozimi se kjo është demokracia liberale. Por problemi është se ekzistojnë shumë lloje demokracish liberale dhe, ajo që është më e rëndësishme, përcaktimi themeltar që përfshin demokracia liberale është vetëpërcaktimi kombëtar- ideja se kombet duhet të zgjedhin qeverinë dhe se kjo qeveri nuk i jep llogari askujt përveç kombit të saj. Nëse ndani idenë e vetëpërcaktimit nga demokracia liberale groposni parimin themeltar të po kësaj demokracie, dhe me këtë, edhe identitetin europian. Demokraci liberale do të thotë edhe përcaktim nacional ose thjesht ajo nuk ekziston”.

Diskutimet rreth buxhetit të ri të Bashkimit Europian dhe pamundësia e arritjes së marrëveshjes flasin pikërisht për këto ndarje të thella dhe vënë në pikëpyetje konceptin e identitetit europian. Pas argumentimit si më sipër, mund të shtrohet pyetja, nëse zhvillimi i idesë së identitetit europian për shkak të presionit të qendrës së grumbulluar rreth anëtarëve më të fuqishëm ndaj sovraniteteve kombëtare të të tjerëve në këtë moment është reduktuar thjesht në rishpërndarje të mjeteve financiare?

Nuk ka dyshim se njëfarë marrëveshje për buxhetin në fund të fundit edhe mund të arrihet, por mbetet e dukshme ndasia e thellë e Bashkimit Europian sipas të gjithë kritereve të politikës dhe ekonomisë.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit