Detajet e operacionit sekret/ Si u dëbuan diplomatët iranianë nga agjentët e Antiterrorit

Oficerët e Drejtorisë së Antiterrorit dhe SHISH-it dëbuan diplomatët iranianë Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast në masa të forta sigurie dhe në sekret të plotë mbrëmjen e së shtunës. Kanë qenë në total 20 oficerë të Drejtorisë së Antiterrorit, që shoqëruan të dy diplomatët bashkë me familjet e tyre nga banesat në aeroportin e Rinasit, raporton Top Channel.

Ministria e Jashtme lajmëroi disa ditë më parë se të dy diplomatët iranianë ishin persona të padëshirueshëm në vend. Një veprim i tillë u vlerësua edhe nga SHBA-ja, e po ashtu edhe nga drejtuesit e opozitës iranianë në vend (MEK).

Mohammad Ali Arz Peimanemati, ishte Konsulli i Ambasadës Iraniane në Shqipëri. Por gjithashtu ai ishte edhe anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit. “QUDS”. Ndërsa Seyed Ahmad Hosseini Alast, me detyrë atasheh kulturor, u zbulua nga partnerët ndërkombëtarë se kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike. Në dhjetor të 2018-ës, Shqipëria shpalli non grata edhe Gholamhossein Mohammadnia ambasador i Iranit Shqipëri, pasi dyshohej se ishte agjent i shërbimeve sekrete iraniane.