Flash News
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Deutsche Welle: Që të përmbushen standartet e BE duhet që në Shqipëri të ndryshojnë disa gjëra
“Negociata me Shqipërinë e Maqedoninë? A janë gati ato?”, kjo është pyetja që shtron në artikull media gjermane ‘Deutsche Welle’ dhe ku rendit të gjitha problematikat me të cilat përballen dy vendet ballkanike.
BE do të fillojë negociatat vitin e ardhshëm, thotë ‘DW’, por vetëm nëse këto vende kryejnë reformat e kërkuara, duke hedhur edhe njëherë tjetër poshtë pretendimet e Qeverisë së Edi Ramës se Shqipëria ka marrë një datë për negociatat.
“Por deri në pranimin në BE të dyja vendet kanë një rrugë të gjatë përpara dhe negociata disavjeçare. Që të përmbushen standartet e BE duhet që në Shqipëri dhe Maqedoni të ndryshojnë disa gjëra”, thuhet në artikull.
Më tej, ‘DW’ rendit disa nga problemet e Shqipërisë kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ekonomisë, lirisë së medias dhe mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve.
Të drejtat bazë dhe mbrojtja e minoriteteve
Shqipëria ka bërë përparime në mbrojtjen e minoriteteve sipas raportit të KE, por ende nuk e ka përmbushur objektivin. Edhe këtu duhen përmirësuar kushtet e jetesës së romëve dhe egjiptianëve të Ballkanit. Qeveria gjermane shpreson që nga negociatat direkte të arrihen këtu përparime me të dyja vendet.
Edhe liria e shtypit, sipas Reporterëve pa kufij paraqet "probleme të dukshme". Në listën aktuale Shqipëria renditet e 75-a ndërsa Maqedonia në vendin e 109 nga 180 vende.
Korrupsioni
Shqipëria ndërkohë ka ndryshuar kodin penal dhe po zgjeron sektorë të specializuar, duke ngritur edhe hetuesin e posaçëm për korrupsionin. Megjithatë në renditjen e Transparency International ky vend arrin vetëm vendin e 91. Shumë rrallë jepen dënime kundër funksionarëve të lartë të korruptuar të shtetit, kështu korrupsioni mbetet shumë i përhapur, sipas KE.
Krimi i organizuar
Tek të dy vendet, Komisioni Europian mirënjeh zhvillimet pozitive në këtë drejtim, por thekson se larja e parave dhe kriminaliteti financiar janë probleme ku duhet të punojnë qeveritë.
Në Shqipëri ndodh rrallë që të shkatërrohen apo dënohen bandat, megjithatë Komisioni Europian i njeh sukseset në drejtim të luftimit të mbjelljes së kanabisit.
Administrata dhe drejtësia
Sipas qëndrimit të BE administrata publike mbetet një sektor me shumë probleme por BE vlerëson hapat e arritur.
Edhe drejtësia po i afrohet kërkesave të Brukselit. Shqipëria po verifikon të gjithë gjykatësit dhe prokurorët, një proces që po jep rezultatet e para. Gjykatës të korruptuar janë liruar nga detyra ose kanë dhënë dorëheqjen. Këtu ndihmon një institucion i pavarur që kontrollohet nga ndërkombëtarët.
Ekonomia dhe e drejta europiane
Nëse Shqipëria dhe Maqedonia duan të jenë anëtare të BE-së një ditë, duhet që ekonomia e tyre të rezistojë në tregun e brendshëm europian dhe sistemi i së drejtës të jetë i përputhshëm me ligjet europiane. Në këtë çështje Maqedonia ka ecur më shumë, ndërkohë që Shqipëria ka shumë punë përpara dhe se duhet të forcojë pavarësinë e institucioneve shtetërore. KE vlerëson që Shqipëria ka përmirësuar deficitin buxhetor. Përparime sheh BE edhe në drejtim të energjisë, infrastrukturës dhe digjitalizimit, megjithatë Shqipëria nuk është konkurruese sa duhet.