Flash News
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Deutsche Welle: Rama ka lënë hapësirë të mendohet se nuk është kundër ndryshimit të kufijve
Media gjermane, Deutsche Welle, ka raportuar për shkarkimin e Ditmir Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm dhe kalimin e kompetencave te kryeministri Edi Rama. Në artikull, kjo media ngre pyetjen se cili do të jetë tani qëndrimi zyrtar i Tiranës për marrëveshjen Serbi-Kosovë.
“Nuk ështe sekret se ish-ministri Bushati kishte mbajtur qëndrime të qarta kundër opsionit të ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nuk është sekret edhe që Presidenti Meta ka shprehur të njëjtin qëndrim”, shkruan ‘DW’.
Sa i përket qëndrimit të kryeministrit Edi Rama, tashmë edhe me kompetencat e ministrit të Jashtëm, DW thekson se ky i fundit ka lënë hapësirë të mendohet se mund të mos jetë kundër një marrëveshje që do të ndryshonte kufijtë midis Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk është sekret që Kryeministri Rama nuk është prononcuar kundër ndaj opsionit të ndryshimit të kufijve, duke lënë hapësirë që të mendohet se mund edhe të mos jetë kundër. Madje edhe refuzimi i Presidentit Meta për të dekretuar, propozimin e kryeministrit Rama që Ministër i Jashtëm, në vend të Bushatit të ishte, i riu 28 vjeҫar nga Prishtina, Gent Cakaj, u mbështet në deklaratat e këtij të fundit pro ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, të cituara nga vetë Meta se "shkëmbimi i kufijve po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor", thuhet në artikull.
‘DW’ thekson se, që të dy, presidenti Meta dhe ish-ministri i Jashtëm Bushati, me qëndrimin e tyre kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, janë në të njëjtën linjë me Kancelaren Merkel dhe diplomacinë gjermane. Gjithsesi, kjo media nuk përjashton as opsionin “që ndikimi personal i kancelares Merkel kundër korrigjimit të kufijve mund të ulet pas vendimit të saj për t'u larguar gradualisht nga skena politike, gjë që mund të lërë një hapësirë potenciale për rritjen e rolit të SHBA apo aktorëve të tjerë si Rusia.”
Artikulli i Deutsche Welle mbyllet me një kërkesë pothuajse direkte ndaj kryeministrit Rama për të deklaruar sa më parë qëndrimin e tij zyrtar për këtë çështje.
“Pritshmëritë janë se është koha që Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Rama të deklarojë qëndrimin e Shqipërisë, nëse opsionit i ndryshimit të kufijve, mbetet dominant për të normalizuar marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan DW.