Flash News

KRYESORE

Dhimbja e Brad Pitt; intervista e parë pas ndarjes, pranon shkakun e vërtetë të divorcit

Aktori Brad Pitt, ka dhënë intervistën e tij të parë të madhe, që pas ndarjes me Angelina Jolie shtatorin e kaluar, për GQ Style dhe ka treguar sesi këto gjashtë muaj e kanë ndryshuar rrënjësisht.   

"Për mua, kjo periudhë ka shërbyer për të parë dobësitë dhe dështimet e mia dhe për të marrë përgjegjësitë", ka thënë ai. Pitt ka lënë pijen ("Nuk më kujtohet një ditë që kur kam lënë kolegjin që nuk kam pirë apo tymosur marijuhanë, apo diçka tjetër... i lashë të gjitha, veç alkoolit, kur krijova familje, por vitin e fundit, disa gjëra më kishin dalë nga kontrolli. Po pija shumë. Ishte bërë problem.")  dhe ka nisur të kryejë seanca te një terapist.

Jolie ka kujdestarinë fizike të fëmijëve dhe fillimisht, çifti ra dakord me planin e propozuar nga Los Angeles County Department of Children and Family Services që i lejoi Pitt-it vizita të rregullta te gjashtë fëmijët e tij, të mbikëqyrura nga një terapist (Avokati i Jolie tha në janar që ai i takonte fëmijët një herë në javë që nga tetori). Çifti deklaroi në janar që ata do t’i mbanin zhvillimet e mëtejshme të divorcit larg shtypit. Tani, në maj, ata janë në mes të procesit, ndërsa Pitt dhe Jolie po punojnë për marrëveshjen e vizitave. 

Fillimisht, ishte e vështirë të përballeshe me kufizimet, ka thënë Pitt. "Unë isha me shpatulla pas murit dhe i ngecur pas sistemit, kur u thirrën Child Services. Dhe ju e dini, pas asaj, ne arritëm të bashkëpunonim për ta zgjidhur këtë. Të dy po bëjmë më të mirën tonë."

Ai dhe Jolie po shmangin betejën gjyqësore, shton Pitt. "Kam dëgjuar një gjykatës që thoshte, 'Askush nuk e fiton gjyqin, është thjesht çështja kush lëndohet më shumë.' Dhe duket sikur është e vërtetë, ti kalon një vit për të ndërtuar një çështje që të vërtetojë tezën tënde dhe pse ti ke të drejtë dhe pse ata e kanë gabim dhe është thjesht një investim i mbushur me mllef. Unë refuzoj të përfshihem. Dhe për fat partnerja ime në këtë, është dakord. Është thjesht shumë shumë tronditëse për fëmijët të shohin papritur familjen e tyre të ndarë në dysh. Nëse mund t’i gjendet kuptim kësaj, ne po e bëjmë me shumë kujdes dhe delikatesë."

Kur vjen çasti për t’ua shpjeguar divorcin fëmijëve, është e komplikuar. “Ka shumë për t’u shpjeguar atyre sepse duhet kuptuar e ardhmja, çasti i tanishëm dhe pse jemi në këtë pikë dhe pastaj dalin tema të së kaluarës që nuk i kemi biseduar më parë", ka thënë Pitt. "Kështu që qëllimi ynë është që të gjithë të dalim nga kjo, njerëz më të fortë dhe më të mirë, nuk ka rezultat tjetër".

Pitt po mundohet të përmirësohet si baba dhe të jetë më i hapur emocionalisht. "Vij nga një vend ku është forcë nëse vritesh, apo digjesh, apo pritesh dhe nuk flet për të, thjesht merresh me të", ka shpjeguar ai. "Ne thjesht vazhdojmë. Njëlloj veprojmë dhe me ndjenjat. Unë jam shumë i vonuar kur duhet të merrem me emocionet e mia. Jam më i mirë për t’i fshehur. Jam rritur me një baba që i di të gjitha, me mentalitetin e luftës, me një baba që është i gjithëpushtetshëm, super i fortë, në vend që të njihja burrin dhe dyshimet dhe betejat e tij me veten. Dhe këto më goditën në fytyrë kur u përballa me divorcin: unë duhet të bëj më shumë. Unë duhet të bëj më shumë për ta. Dhe nuk kam qenë shumë i mirë në këtë".

 

Fëmijët janë përparësia e tij kryesore. "Unë vë familjen të parën. Njerëzit në ditët e fundit nuk flasin për çfarë kanë fituar apo për çmimet që kanë marrë. Ata flasin për njerëzit e tyre të dashur ose pengjet, këto janë në menu. E them këtë si dikush që e ka lënë punën ta marrë në rrjedhën e saj. Fëmijët janë shumë të brishtë. Ata thithin çdo gjë. Ata kanë nevojë t’u mbash dorën dhe t’ua shpjegosh gjërat. Ata kanë nevojë të dëgjohen. Kur unë vendos opsionin “i zënë me punë”, unë nuk dëgjoj."

Për shërimin nga divorci në përgjithësi, "refleksi i parë është ta mbash fort që të mos ikë", ka shpjeguar Pitt… "Dhe pastaj ke një cliché: 'Nëse e do dikë, lëre të lirë.' Tani e di çfarë do të thotë, duke e ndier. Kuptimi i saj është të duash pa pasur ndjenjën e pronësisë. Të mos presësh asgjë në këmbim. Por kjo duket bukur e shkruar. Tingëllon bukur kur e këndon Sting, por nuk do të thotë asgjë për ty, derisa e jeton".

GQ ka realizuar një disa foto hapësinore dhe fashion me Brad Pitt, për të shoqëruar këtë intervistë ekskluzive, ku Pitt pranoi problemet me alkoolin, për herë të parë.

Të fundit