Flash News

KRYESORE

Dhuna ndaj lojtarëve të Skënderbeut, Disiplina jep dënimin për ekipin e Kastriotit

Dhuna ndaj lojtarëve të Skënderbeut, Disiplina jep dënimin

Pas ngjarjes së ndodhur në Fushë-Krujë para ndeshjes Kastrioti-Skënderbeu, ku tre lojtarë të ekipit korçar u dhunuan nga 25 persona të paautorizuar brenda stadiumit "Redi Maloku", Komisioni i Disiplinës ka dhënë dënimin për klubin pritës.

Mund të thuhet se Kastrioti ka "shpëtuar pastër", pasi është  dënuar vetëm me dy ndeshje në fushë asnjanëse, por mbetet për t’u parë nëse do të luhen më takime në stadiumin “Redi Maloku”, pasi Komisioni i Licencimeve do të rivlerësojë impiantin.

Gjithashtu klubi ka marrë edhe gjobë në masën 50 mijë lekë.

Ndërkohë, ekipi i Tiranës është dënuar me 200 mijë lekë gjobë, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës.

Më poshtë vendimet e plota:

  1. KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) lek.
  2. KS “Kastrioti”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjes kundër KF Skëndërbeu duke mos garantuar sigurine e lojtarëve kundërshtarë si dhe sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të nenit 5/2; 64/c; 65/2 dhe 66/1 të KDS, dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve në fushë asnjanëse dhe gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lekë. Për vlerësimin e kriterit infrastrukturor çështja t’i referohet Komisionit te Liçesimit.
  3. Zyrtari i KS “Kastrioti”, Gazment Vogli, për sjellje të gabuar ndaj zyrtarëve të ndeshjes duke përdorur fjalë fyese, në bazë të Nenit 49/2/a) të KDS dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike. Në bazë të nenit 20 të KDS, zyrtarit i ndalohet qëndrimin në dhomat e zhveshjes, stoli i rezervave dhe territori përreth fushës.
  4. FC “Flamurtari”, për sjellje të gabuar të spektatoreve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lek.
  5. Zyrtari i KF “Egnatia”, Agron Alia, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  6. KF “Bylis”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lek. Në aplikim te Nenit 136/1.a të KDS, gjoba shlyhet në masën 50%.
  7. Lojtari i KF “Burreli” U -17, Samuel Kola, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  8. Zyrtari i KF “Brians” U-17, Kreshnik Ivanaj për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  9. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF “Shkëndija DR” U-19, Etnik Kameri, si të pa bazuar në KDS dhe Rregulloret e tjera të FSHF.
  10. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF “Kukësi” U-17, Ervis Patarria, si të pa bazuar në KDS dhe Rregulloret e tjera të FSHF.

Të fundit