Dialogu me Serbinë, dy zyrtarët e lartë amerikanë sot në Kosovë

Dy zyrtarët e lartë dhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje të Ballkanit Perëndimor zbarkojnë sot në Kosovë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovës, Philip Kosnett, njofton në rrjetet sociale se veç të dërguarit të posaçëm të presidentit të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, në Kosovë do të qëndrojë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Sipas Kosnett, mbështetja amerikane për dialogun Kosovë-Serbi kërkon punë ekipore.

“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore: I dërguari i posaçëm presidencial Grenell dhe përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit Matt Palmer së bashku në Berlin. Të dy do të vizitojnë Kosovën”, shkruan Kosnett në twitter, ndërsa publikon edhe një foto të Ambasadës së SHBA-së në Gjermani, dhe shfaqen dy zyrtarët e lartë amerikanë duke diskutuar me zyrtarët gjermanë.

Kujtojmë se presidenti i SHBA, Donald Trump emëroi Grenell, si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe të dërguar të posaçëm të administratës për dialogun Kosovë-Serbi, më 4 tetor.