Flash News

OP-ED

Diaspora, që vazhdon të shihet, si ‘Mërgata e Qyqeve’: Pse PS-PD e urrejnë idenë e votimit të emigrantëve

Diaspora, që vazhdon të shihet, si ‘Mërgata e

Alfred Lela

Nëse mendoni se ka ndryshuar diçka nga 30 vjet më parë, sa i takon predispozitës së politikanëve shqiptarë në raport me diasporën, e keni gabim. Siç u bënë asokohe përpjekje për t’i shmangur eksponentët e mërgatës shqiptare të Europës dhe Amerikës, e njëjta filozofi i hap rrugë edhe sot stërkëmbëshave që i futen një ideje e cila, në fakt, më shumë se sa rrëfen nevojën e shqiptarëve të diasporës për të patur një zë në punët tona, dëshmon për tribalitetin dhe banalitetin e klasës politike të Tiranës.

Arsyeja më e parë se pse, ka patur, ka dhe do të ketë, rezistencë ndaj votës së diasporës shqiptare është babëzia. Shqiptarët e diasporës, duke votuar për përfaqësi në Kuvendin e Shqipërisë, apo duke u përfaqësuar në të, mund të përbëjnë, potencialisht, një bllok politik përcaktues, alternativë e të dy krahëve politikë, të çimentuar në Shqipëri prej 30 vitesh. Në Tiranë e kemi dëgjuar shpesh të përsëritet nevoja, apo domosdoshmëria, e një force të re, polit të tretë dhe, më e shumta që është mundur të sendërtohet është kingmaker-i. Këtë pagëzim pat marrë Ilir Meta gjatë dy legjislaturave të mëparshme, kur i mundësoi një herë Sali Berishës, një herë Edi Ramës, dhe dy herë vetes, të formonin qeveri dhe të mbanin pushtet.

Por, për të qenë të ndershëm, Ilir Meta është njëri prej tyre.

Një përfaqësi e diasporës në Kuvendin e Shqipërisë (shiheni paradoksin, më shumë shqiptarë jetojnë jashtë se këtu, dhe ata ‘përfaqësohen’ vetëm me paratë që u dërgojnë familjeve, duke mbajtur, automatikisht, të afërmit, por edhe ekonominë e Shqipërisë bashkë me politikanët që nuk i lejojnë të votojnë), mund të përkthehet pikërisht në këtë. Një pol neutral dhe bllokues, apo çlirues sipas rastit, i cili do t’i kushtëzonte apo shtynte përpara forcat kryesore.

Specifika e deputetëve potencialë të diasporës është se ata, parimisht, nuk do të bliheshin dhe shiteshin, duke qenë se, pavarësisht origjinës, vijnë nga shoqëri të mëdha, të hapura, por edhe se, në shumicën e rasteve, nuk do të hyjnë në politikë si varfanjakë. Në secilin rast, një grup parlamentar i Diasporës do të ishte emancipues për Kuvendin dhe politikën tonë në përgjithësi.

Një tjetër ‘rrezik’ i një entiteti të tillë në politikën shqiptare, përveç pavarësisë ekonomike, do të ishte edhe aksesi tek administrata dhe Kongresi amerikan, apo elitat dhe instiucionet e vendeve të BE. Duke operuar me nënshtetësi të dyfishtë dhe akses më të madh në vendet e tyre të adoptuara, diaspora do të bëhej Dhoma e parë e Kuvendit. Këtë gjë nuk e duan as majtas, as djathats, as në mes, këtu në Tiranë.

Cilësia e tretë që i bën ‘të rrezikshëm’ votuesit dhe përfaqësuesit (potencialë) të diasporës është ekspertiza e tyre. Pandemia na shërbeu për ta parë në shkallë të gjerë diferencën e shqiptarit të arsimuar, kultivuar, punësuar dhe shoqërizuar në Europë dhe Amerikë, me të këtushmit. Mjekë dhe kërkues të shkëlqyer shqiptarë në botë na bënë me dije se Shqipëria e diasporës është një pjesë e jona së cilës ia bëjmë me hile. Ata janë më shumë se ne, më të arsimuar se ne, më të hapur se ne.

Elita politike e këtushme nuk e do këtë input kombëtar dhe global, hiq samitet propagandistike të diasporës, sepse është e interesuar për staus quo-në, për vendnumëronë, për more of the same sh...

Të mos harrohet një element tjetër i zgjedhjeve shqiptare: emigracioni ka votuar, edhe pse nuk ka qenë këtu dhe as është përfaqësuar. Vullneti i diasporës është shprehur, padrejtësisht, nga komisionerë, aparatçikë, militantë dhe barbarë partiakë. Nëse kjo votë faktualizohet dhe ligjërohet, makinerive shtetërore e partiake u hiqet një hambar i thellë manipulimi. Kjo është një tjetër arsye pse Rama është hapur kundër votës së emigrantëve, dhe pse Basha flet sikur ka gurë në gojë në lidhje me të.

Në fund, një episod personal, sugjerimi i autorit të këtyre radhëve drejtuar një politikani të lartë shqiptar, jo publikisht, që në Tiranë apo në Durrës, të ngrihej një përmendore për emigrantët, e titulluar, ndoshta, ‘Emigranti i panjohur’. Fakti që nuk e keni parë askund flet për përgjigjen.

Paradoksalisht, të dy shefat e partive kryesore, PS dhe PD, kanë përvojat e tyre me emigracionin, njëri në Francë e tjetri në Hollandë e Kosovë. Kjo nuk do të thotë se ata përfaqësojnë diasporën. Do të thotë vetëm se ata janë sot, që të dy, armiq të saj.

 

Të fundit