Flash News

KRYESORE

‘Diaspora’ ul në një tryezë Ramën dhe Metën

‘Diaspora’ ul në një tryezë Ramën dhe Metën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës, ku ishin të pranishëm gjithashtu Kryeministri Rama, Ministri i Shtetit për Diasporën Majko, ministrat e kabinetit qeveritar Çuçi, Margariti, Klosi, anëtarë të Këshillit, deputetë, drejtuesi i mbledhjes dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut, zoti Mark Gjonaj, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare.

Mbledhja e parë e Këshillit Koordinues të Diasporës u mbajt në Ditën Ndërkombëtare e Emigracionit si dhe njëkohësisht në Ditën Kombëtare e Diasporës në Shqipëri.

Në këtë takim, i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, duke bërë që takimi të bashkojë pas shumë përplasjesh dhe akuzash në distancë edhe me presidentin Meta.

Në fjalën e Tij, Presidenti i Republikës u shpreh: “ Uroj që ky takim i parë i Këshillit Koordinues të Diasporës të vijojë me një sërë arritjesh në zgjidhjen e këtyre problematikave që ndesh diaspora jonë, por edhe mbi masat konkrete të qeverisë shqiptare në bashkëpunim edhe me diasporën në lidhje me situatën e rëndë të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit!

Diaspora jonë e hershme, komuniteti arbëresh ruajti për pesë shekuj gjuhën shqipe dhe figurën e Skënderbeut, dhe ishin nismëtarë të Rilindjes Kombëtare, e cila çoi na çoi edhe drejt Pavarësisë.

Një kontribut të madh dhe të vyer në të mirë të vendit tonë jep edhe diaspora e re e pas viteve 90-të.

Në 30-të vitet e fundit ne jemi një komb që ende emigrojmë. Ky është një fenomen global që ka pasojat e veta pozitive, por edhe mjaft negative dhe një sfidë e vështirë për vende modeste si ky i yni.

Ne vazhdojmë të krenohemi me arritjet që kanë shënuar emigrantët shqiptarë në mbarë botën, në të gjitha fushat.

Tashmë Diaspora shqiptare ka hyrë në një etapë të re. Shumë përfaqësues të saj janë pjesë e rëndësishme në institucionet shtetërore qendrore dhe vendore në shtetet ku ata jetojnë.

Një shembull i tillë i shkëlqyer është vetë i nderuari zoti Gjonaj.

Po kështu do të doja të përmendja edhe eurodeputeten që përfaqëson Suedinë, znj. Arba Kokalari, por edhe shumë shqiptarë të tjerë të zgjedhur në institucione qendrore dhe vendore në Gjermani, Itali, Greqi, Norvegji, Suedi, dhe në vendet e BE-së ku jetojnë shqiptarë.

Kjo është një dëshmi e një hovi cilësor për diasporën shqiptare në politikë dhe qeverisje, por edhe në fushat e tjera si sporti, arti, kultura, shkenca, akademia dhe biznesi, ku shumë shqiptarë kanë arritur të njihen ndërkombëtarësisht duke na bërë të gjithëve krenarë.

Përgjatë tridhjetë viteve të fundit, remitancat, pra dërgesat e diasporës, kanë patur një ndikim të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në ekonominë e vendit. Ato jo vetëm ka ndikuar në uljen e varfërisë, por edhe kanë rritur konsiderueshëm standardin e jetesës për shumë familje shqiptare duke forcuar sektorin e investimeve private.

Dërgesat e diasporës edhe sot mbeten në nivele më të larta, të krahasueshme me investimet e huaja të

Së fundmi, unë i uroj suksese këtij Këshilli dhe shpresoj që të ndërmerren hapa konkrete dhe të gjendet zgjidhje për problemet dhe vështirësitë që has diaspora, si edhe të krijohet një bashkëpunim edhe më i ndërsjellë, edhe më i fortë, edhe më organik dhe më i dobishëm.

Duhet të bëjmë çdo përpjekje që shqiptarët kudo ku ndodhen të ndihen të përfshirë në jetën e zhvillimin e vendit, si dhe krenarë për identitetin e tyre shqiptar”, tha ndër të tjera Meta.

Të fundit