Flash News

KRYESORE

Dibranët 5 pyetje Edi Ramës për Rruga e Arbrit; Nga cilësia e punimeve te kostot e shumëfishuara

Dibranët 5 pyetje Edi Ramës për Rruga e Arbrit; Nga cilësia

Një grup intelektualësh dibranë kanë nënshkruar një peticion online me 16 mijë përkrahës, ku kërkojnë një takim me kryeministrin Edi Rama për Rrugën e Arbrit.

Ndonëse ministri Gjiknuri firmosi në shkurt marrëveshjen me kompaninë 'Gjoka Konstruksion' për një vlerë rreth 250 milion euro, intelektualët dibranë të udhëhequr nga Gëzim Alpion janë skeptik. Ata kërkojnë të dinë më shumë për projektin, cilësinë e punimeve, dhe afatin e përfundimit të rrugës.

Statusi  i plotë:

Ne duam sqarime se kush mban përgjegjësi për veprimet e mëparshme arbitrare në lidhje me Rrugën e Arbërit? Përse vazhdoi sharada me kinezet kur ne kishim paralajmëruar që në fillim se, edhe pas hartimit të një ligji të posaçëm nga Parlamenti, dhe nënshkrimit të një kontrate me palën kinez, gjithçka do të dështonte?

Siç thamë në fillim, ne i përshëndesim përpjekjet e Kryeministrit dhe Qeverisë për të siguruar fondet në mënyrë që punimet për ndërtimin e kësaj vepre, që është bërë prej kohësh një tregues i frikshëm dhe i turpshëm i shkallës së ulët të efikasitetit të shtetit, më në fund, të fillojnë. Megjithatë, duhet te jesh naivë të besosh se kjo çështje është e ‘përfunduar’ ngaqë u bë një prezantimi virtual. 

Dibranëve u është uruar edhe më parë kjo vepër iluzive. Prandaj, kanë të drejtë të jenë skeptikë për aq kohë sa nuk ka transparencë për fondet, projektin, kur fillojnë, sa do të zgjasin dhe kur do të përfundojnë punimet, për kompetencën teknike të kompanive që do të angazhohen në realizimin e kësaj vepre, për penalitetet me të cilat Qeveria dhe sipërmarrësit do të përballen po qe se ka devijime në projekt, dhe nëse dibranët do të ‘diskriminohen’ përsëri duke ju kërkuar të paguajnë për ‘privilegjin’ për të ardhur në Tiranë.

Po qe se Qeveria nuk është në gjendje të sqarojë publikun për çështjet e mësipërme, nuk ka asnjë garanci se, ajo që ndodhi me rrugën e Kukësit dhe të Elbasanit, ku kostot u shumëfishuan gjatë kohës së ndërtimit dhe punimet u bënë me cilësi të dobët, të mos përsëritet edhe me Rrugën e Arbërit. 

Në videoprezantimin e rrugës nga Ministria e Transportit, segmenti aktual ‘Bulqizë-Ura e Çerenecit’, konsiderohet i ndërtuar. Ne konstatojmë se ky segment nuk i përmbush standardet e rrugëve europiane. Prandaj, kërkojmë që Qeveria ta rishikojë këtë segment. 

Nëse ky segment është kuti me të cilin do të matet cilësia e punimeve, kjo do të thotë se edhe segmentet e reja do të jenë me cilësi të dobët. Ndërtimi shkel e shko i Rrugës së Arbërit do të jetë një përbuzje tjetër jo vetëm për 200,000 dibranë po edhe për të gjithë taksapaguesit shqiptarë. 

Ne shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë, dhe se Rruga e Arbërit do të jetë vërtet, siç e ka cilësuar Kryeministri, ‘rruga e parë me standarde europiane’ në Shqipëri.

 

 

Të fundit