Die Welt: Rama shfaqet me atlete në Perëndim dhe dyshohet për lidhje me mafian e drogës

Gazeta gjermane ‘Die Welt’ ka dërguar korrespondentin e saj në Tiranë për të hulumtuar hapat e Shqipërisë drejt rrugës së hapjes së negociatave, gjendjen e ekonomisë, dëshirën e shqiptarëve për të emigruar dhe, natyrisht, një ‘portret’ të kryeministrit të vendit Edi Rama.

Sa i takon këtij të fundit:

Rama është një mister: një piktor i pashëm dhe politikan radikal i pushtetit, të cilit i pëlqen të shfaqet në Perëndim i veshur me atlete, por që gjithashtu është i dyshuar se ka mbështetjen e mafias shqiptare të drogës. Partia e tij ka ardhur në pushtet me shumicë absolute që në shtator 2017. Partitë opozitare PD dhe LSI e kanë bojkotuar parlamentin, por një marrëvshje mbi reformën elektorale mund ta ndryshojë shpejt këtë.

Rama ka implementuar Reforma të rëndësishme në sistemin gjyqësor dhe ekonomik, arsyeja se pse Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave në maj 2019. Por ekspertët e BE nuk janë përfundimisht të kënaqur. Ata kritikuan faktin se ishin bërë shumë pak arrestime për krimin e organizuar dhe më shumë duhet bërë për të luftuar pastrimin e pasurive dhe mbi të gjitha zyrtarët e korruptuar duhet të ndëshkohen vazhdimisht.

Shkrimi i titulluar “Në konsullatën gjermane duhet të presësh disa muaj, ja sa e gjatë është radha”, nuk është vetëm për politikën dhe integrimin, por ka edhe ‘fytyrë njerëzore’. Gazetari Christoph Schlitz ka folur me njerëz të zakonshëm, përfshirë një vajzë të re që do të emigrojë në Gjermani për të punuar si infermiere.

‘Die Ëelt’ (Bota) është gazetë kombëtare e përditëshme gjermane që botohet që prej vitit 1946. U themelua nga forcat britanike për të pasur një model të gazetarisë cilësore sipas modelit të ‘The Times’.

Gazeta është nën pronësinë e Axel Springer, të njëjtit grup që ka në zotërim tabloidin BILD i bërë shumë i njohur në Shqipëri gjatë muajve të fundit pas botimit të përgjimeve dhe një shkrimi për kryetarin e PD Basha, i cili u hoq më pas.