Digjen pesë banesa në Bathore, shefi i zjarrfikëses: Banorët gabuan duke lëvizur tjegullat

Pesë banesa në zonën e Bathores (bashkia Kamëz) janë përfshirë nga flakët pasi ndodheshin nën një çati të përbashkët.

Shefi i sektorit nr. 3 të Bashkisë Tiranë për zjarrfikësen tha për ‘Fax News’ se çatia e përfshirë nga zjarri ishte me katrama dhe lëndë drusore. Ai deklaroi se banorët ishin në panik kur ka mbërritur zjarrëfikësja  por fatmirësisht dëmet kanë qenë vetëm materiale.

Ai shton më tej se banorët kishin ndërhyrë para se të shkonte zjarrfikësja për të shuar zjarrin, por kanë bërë lëvizjet e gabuara duke lëvizur tjegullat. në këtë mënyrë flakët janë përhapur më shpejt.

Fjala e Cukos; shefit të sektorit nr. 3 të Bashkisë Tiranë:

“Në orën 11 e 24 minuta kemi marrë njoftimin në sallën operative ku na është thënë se në Bathore digjet një banesë. Për 4-5 minuta kemi arritur në vendngjarje, kemi konstatuar që njëra nga banesat ishte e përfshirë e gjitha në flakë. Pjesa tjetër e 4-5 banesave kishin zjarr në çati në mënyrë të njëtrajtshme, pjesa e çatisë me lëndë drusore dhe katrama ka bërë të mundur përhapjen e flakëve në të gjithë çatinë. Çatia ka qenë pothuajse e gjitha në flakë, kemi bërë izolimin e vatrës fillestare dhe më pas kemi kërkuar ndihmë nga Bashkia Tiranë dhe Vorë. Kemi bërë të mundur vendosjen e flakëve nën kontroll, dëmet materiale i kemi tek banesa e parë. Pjesa e banesave të tjera ëshë e dëmtuar vetëm nga çatia, kur erdhëm kemi gjetur njerëz në panik, jemi munduar t’i qetësojmë e t’i largojmë se disa banorë duke mos e ditur rrezikun kishin hipur mbi çati dhe largonin tjegullat që bënë të mundur përhapjen e zjarrit me shpejtësi. Nëse ata nuk do i kishin lëvizur tjegullat vetë zjarri do kishte pasur përmasa më të vogla, duke mos e ditur ndërhynë dhe bënë atë që nuk duhej. Ata duke u munduar të lokalizojnë vatrat e zjarrit i kanë dhënë oksigjen”.