Flash News

KRYESORE

Diktatori në tezgën e librave

Patrik Sadikaj

Kisha do kohë pa kaluar nga ish-Blloku. Sot, nuk e di as vetë pse, më ra rruga andej, megjithëse shumë kalojnë andej për trend. Sido që të jetë puna, rruga kryesore kalon ngjitur me vilën e Diktatorit që sot është rrethuar nga liria, por ama e mban fort brenda vetes duhmën e diktaturës. Mua ma zë frymën ajo rrangallë komuniste. Më kujton gjithë mënxyrat që janë gatuar aty me kosto jetën e shumë shqiptarëve.

Për të mos kaluar më tej në errësirën e atyre mureve, po tregoj atë që përjetova sot jashtë asaj vile. Që kur e mbaj mend unë, në murin rrethues shiten libra. Tituj të ndryshëm, shkollorë, artistikë, fjalorë anglisht e turqisht. Nga Shefqet Musaraj deri tek At Zef Pllumi, për të mos folur për klasikët botërorë.

Si dashamirës i librit, ndala hapin dhe fillova të këndoj me sy titujt që librashitësi i kishte mbështetur si punëtorët që kërkojnë punë tek Ushtari i Panjohur. Ai ishte i patrazuar duke tymosur cigare. Biznesi i tij është i vetmi që nuk rrëmbehet nga policët bashkiakë. Mbase, ata nuk dinë t'i lexojnë siç bëjnë me kastravecat e domatet, apo fletët e borzilokut. Nga mesi i tezgës, pashë një kolanë të plotë të veprës së Enver Hoxhës. Shtanga. Librat e dikatorit shiteshin në tezgë me librat e Kasem Trebeshinës. Aty ngjitur me strofkullën ku ishin shkruar si udhëzuesi i diktaturës më të egër komuniste në Europë. Sa e rëndë m'u duk.

Jemi 30 vjet nga rënia e komunizmit, me një këmbë në BE dhe në treg shesim idologjinë e diktatorit. Imagjino në Gjermani që në një tezgë librash të shitej vepra e Hitlerit?! Edhe Main Kampf u ndalua në mbarë botën, ndërsa në mes të Tiranës të ofrohet "Vepra" e Enver Hoxhës,  "Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë", e kështu me radhë e gjithë kolana.

Ndërkohë që lexoja titujt në fjalë në lokalin përballë TV nxirrte me titra njoftimin e Ambasadës së SHBA për protestën e opozitës antikomuniste. Do thoni ju, ç'të keqe ka? Jo, aspak. Përderisa ka ende 30 vite pas rënies së komunizmit idhtarë të diktatorit, nuk kam çfarë të them. Ama mund të them se ku është mjerimi më i madh i një vendi që ulëret çdo ditë e më pak: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

...Pak metra larg tezgës me libra, kioska e gazetës më kujtoi radhën e shqiptarëve për të blerë një gazetë që shitej si kartolinë me "urimin e Nexhmije Hoxhës për Vitin e Ri".

Të fundit